Fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, si rezultat i punës sonë, jo historisë

TIRANË, 9 maj/ATSH/ – “Bashkimi Europian nuk është klub ekskluziv ku hyn ai që paguan. Është para së gjithash një bashkësi vlerash. Dhe vlerat nuk arrihen me plan as 5-vjeçar e as 10-vjeçar. Ato mbruhen dhe mëkohen. Nuk thuhen me fjalë, por tregohen me vepra. E them këtë sepse jemi në një prag historik, fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Që sikundër çdo sfidë e vështirë do të vijë si rezultat i punës konkrete, jo i të kaluarës tonë”.

Kështu deklaroi sot kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati në aktivitetin e organizuar në Ditën e Europës në Tiranë, me temë: “Trashëgimia kulturore shqiptare – një vlerë në rrugën europiane”.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, u shpreh se ekspozita e çelur sot është një dëshmi e rrugëtimit të ndërprerë të europianizimit tonë që pas dekadash humbjesh e kemi gjetur sërish.

“Këto fotografi hedhin sado pak dritë në themelet tona dhe në përpjekjet për shtet formim. Kjo ekspozitë dëshmon lidhjet tona me Europën e lashtë, kur paraardhësit tanë, nga dëshmitarë u kthyen në protagonistë të historisë europiane. Skënderbeu shenjoi politikisht shprehjen e përkatësisë tonë europiane. Më pas ishte një plejadë e tërë nga De Rada, vëllezërit Frashëri, Ndre Mjeda që në shembullin e rilindasve europianë shpallën përkatësinë europiane për Shqipërinë. Alfabeti me germa latine dëshmon qartë drejtimin tonë drejt Europës. Lidhja jonë me Europën ka qenë dhe mbetet organike”, – tha Bushati.

Por, u shpreh ministri, “sot në ‘Ditën e Europës’, çdokush prej nesh mund të pyesë: A quhet i përfunduar projekti europian teksa një pjesë organike e tij, Ballkani Perëndimor, mbetet ende jashtë? Përgjigja është: Natyrisht jo! Kemi pandehur se jemi me fat që gjendemi në zemër të qytetërimit europian. Mbase tek e pandehura qëndron edhe gabimi ynë, sepse ka një vijë të hollë ku ndahet realiteti nga imagjinata. E pikërisht kjo nuk duhet të na bëjë të mendojmë se e meritojmë automatikisht anëtarësimin në BE”.

“Ne shqiptarët, jemi një nga popujt më euro-entuziastë. Dhe teksa lëmë pas historinë dhe hidhemi në ditët e sotme, ne shqiptarët mbetemi një nga popujt më euro-entuziastë. Fillimi i ndryshimeve politike dhe shoqërore në fillim të viteve ’90-të nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nuk ishte gjetje e ndonjë kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës së gjeneratave të tëra për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht. Në kohën e lajmeve të rreme, të shpërthimit të mediave sociale dhe të të gjitha fenomeneve që lidhen me to, Shqipëria ka nevojë si kurrë ndonjëherë për t’u njohur nëpërmjet kulturës së saj”, – tha Bushati.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.