Europa të hapë negociatat për Shqipërinë dhe liberalizimin për Kosovën

372

TIRANË, 9 Maj/ATSH/.- “Europa tani duhet t’i hapë negociatat për Shqipërinë, ndërsa popullit të Kosovës duhet t’i jap liberalizimin e vizave”, deklaroi sot në Tiranë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të rënies së Dëshmorëve të Kombit, Gjeneral Major Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Mala, që u mbajt në Tiranë nën kujdesin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Haradinaj theksoi se “si ka mundësi Europa të jetë e lirë nëse një popull më i vjetri në këtë kontinent, shqiptarët, nuk është i lirë”.

Kreu i qeverisë kosovare tha se do të punojmë për ato vlera, për të cilat kanë vdekur njerëzit tanë më të mirë.

Duke folur për Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Mala, Haradinaj tha se “Ilir ishte një djalë shqiptar, i cili vizionin për liri nuk e kishte kopje të askujt, por të vetën, të familjes dhe e kishte të thellë, jo sipërfaqësor. Ky vizion për liri buronte nga ai, e kishte kultivuar dhe ndërtuar deri në veprime që na çojnë te liria”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, foli edhe për takimin e tij me Hazir Malën, duke thënë se Haziri nuk ishte vetëm një djalë që nga emocionet iu bashkua UÇK-së, por ishte një intelektual, një djalë i një familje intelektuale.

“Familja e Haziri Malës dhe vetë Haziri ishte bazë e fuqishme, e respektuar për UÇK-në. Nuk ka mision më të mirë, nuk ka qëllim më të drejtë dhe vlerë më sublime sesa ecja deri në liri për popullin tënd, për fëmijët, nënat, pleqtë, për të gjithë ata që ishin të pambrojtur në Kosovë, për të gjithë ata që edhe bota më e civilizuar u detyrua të lëviz”, nënvizoi Haradinaj.

Në emër të institucioneve të Shqipërisë, për figurën dhe veprën e lavdishme të Dëshmorëve të Kombit, Ilir Konushevci e Hazir Mala, foli zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili tha se askush nuk na e ndal që dëshmorët e Kosovës t’i konsiderojmë dëshmorë të Shqipërisë, dhe anasjelltas.

Në emër të bashkëluftëtarëve, foli ish-Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, në emër të shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari, ndërsa të pranishmit në emër të familjeve Konushevci dhe Mala, i falënderoi Arton Konushevci, vëllai i dëshmorit Ilir Konushevci./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.