BE mbështetje turizmit që promovon edhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë

244

TIRANË, 9 Maj/ATSH/- Bashkimi Europian po kontribuon dhe do të vazhdojë të kontribuojë për të mbështetur trashëgiminë kulturore në Shkodër, Korçë, Berat dhe vende të tjera siç është liqeni i Ohrit, deklaroi sot në Tiranë Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në BE, Christian Danielsson.

Në fjalën e tij në aktivitetin “Trashëgimia kulturore shqiptare një vlerë e shtuar për Europën”, të zhvilluar në ambientet e Akademisë së Arteve në Tiranë, Danielsson, theksoi se “trashëgimia kulturore në Shqipëri kërkon investime dhe promovime strategjike”.

“Strategjia për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm ka rëndësi thelbësore dhe unë përgëzoj atë që po ndodh në Shqipëri për këtë. Ajo krijon të ardhura të larta dhe ka efekte domino”, nënvizoi Danielsson.

Sipas tij, trashëgimia kulturore nga mungesa e fondeve mund të lihet në harresë dhe të harrohet.

“Është një përgjegjësi e përbashkët dhe ne duhet të veprojmë së bashku jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe në Europë për të siguruar këto vlera për popullatën të këtij aspekti të rëndësishëm”, tha Danielsson.

Në Shqipëri, vijoi ai, ka shumë monumente në zona të larta, të cilat është e vështirë të arrihen për shkak të infrastrukturës. “Më ka bërë përshtypje udhëtimi në Himarë ku kam parë  kulturën grekoromake të qytetit dhe manastririn e Shën Mërisë në sitin arkeologjik”, u shpreh ai.

Ai tha se “tani duhet një qasje që të shkojmë më tej për infrastrukturën turistike, që gjithashtu lidhet me kulturën dhe komunitetet lokale . Ne do të lançojmë këtë vit një program për të mbështetur modelin e turizmit për zhvillimin lokal, që promovon edhe trashëgiminë kulturore dhe kulturën”.

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në BE, Christian Danielsson në fund të fjalës së tij tha se “uroj Shqipërinë për të ardhmen europiane, e cila ka rrënjë të thella në të kaluarën europiane”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.