28 milionë lekë për rritjen e konkurrueshmërisë së kompanitë shqiptare eksportuese

TIRANE, 9 Maj/ATSH/- Qeveria shqiptare gjatë këtij viti po financon 28 milionë lekë për të mbështetur konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), kryesisht në tregjet e huaja.
Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë shërben për të financuar një skemë granti për ndarje të kostove në ndihmë të NVM-ve dhe përpjekjeve të tyre për të konkurruar në tregun e huaj.

Objektivi i kësaj iniciative është të ndihmojë kompanitë shqiptare të depërtojnë me eksportet e tyre në tregjet e huaja, duke siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për aktivitete që do të ndihmojnë në zbatimin e planit të tyre të marketingut për eksport.

Ndërmarjet që do të ndihmohen me anë të këtij fondi janë, ndërmarrje mikro, të vogla ose të mesme me fokus eksporte. Fushat kryesore që mbulon fondi janë prodhimi dhe shërbimi në sektorin e industrisë së përpunimit aktiv(fasonet), industrisë së lehtë, agropërpunimit dhe në sektorin e kërkimit dhe zhvillimit.

Skema ofron subvencionim për kosto që kanë të bëjnë me aktivitete të miratuara mbi bazën e ndarjes së kostove.

Kjo nënkupton se granti nuk financon gjithë kostot, por vetëm një pjesë të tyre, ndërkohë që pjesa tjetër financohet nga përfituesi i grantit (në këtë rast, shoqëria shqiptare).

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve njofton të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme se kanë filluar aplikimet për Fondin Shqiptar të Konkurrueshmërisë.
Aplikimet do të vazhdojnë deri më datë 1 nëntor./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.