Sezon turistik më i pastër dhe më i sigurt

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155792021851523/

TIRANË, 8 maj/ATSH-Maela Marini/ – “Përgatitemi për një sezon turistik me shumë më tepër pastërti, siguri e mundësi argëtimi”, tha sot Kryeministri Edi Rama, duke inspektuar plazhin e Shëngjinit, në Lezhë.

Kemi shumë nevojë që çdo individ, tha Rama, të sillet si patriot duke mos e bërë pis mjedisin, duke hedhur çfarë ka në dorë vend e pa vend.

Rama tha se “ne po përpiqemi shumë për sezonin t’i pastrojmë paraprakisht por edhe të garatojmë pastërtinë gjatë gjithë kohës”.

“Ne kemi bërë ndarje me ministra që janë të ndarë në territor. Duam një sezon shumë më të pastër se asnjëherë më parë. Kemi një trupë me 1 mijë të rinj të përfshirë në gjithë sezonin për të sensibilizuar e penguar inercinë e tmerrshme të hedhjes së mbeturinave vend e pa vend”, tha Rama.

Sezoni, sipas tij, do të përfshijë edhe festa lokale dhe aktivitete sportive e artistike.  “E rëndësishme është pastërtia dhe siguria. Sa i takon sigurisë, kemi një plan të detajuar, duke filluar nga koordinimi i hoteleve me Policinë e Shtetit dhe zhurmat që janë problem i tmerrshëm dhe këtë vit do ti zbusim. Plus do të veprojmë edhe për mjetet e ujit”, tha Rama.

Po ashtu kryeministri vlerësoi si mjaft të vyer kontributin e sipërmarrësve, pasi kur nuk ka koordinim dhe bashkëpunim bëhet shumë pak.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.