Qytetari i ankohet drejtpërdrejt për hipotekën e shtëpisë, Rama-kreut të Hipotekës: Shko jepi certifikatën

379

TIRANË, 8 maj/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama jo vetëm i është përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve gjatë turit të bashkëqeverisjes, e cila ndalesën e radhës e kishte në Laç, por edhe ka zgjidhur problemet e tyre.

Gjatë këtij bashkëbisedimi pasditen e sotme, një prej qytetarëve iu ankua Kryeministrit se kishte 6 vite që priste përgjigje për hipotekën e shtëpisë së tij.

“Quhem Genc Lama nga fshati Shullaz. Kam futur letrat për hipotekimin e shtëpisë. Kam 6 vjet që pres”, – u ankua ai.

Pas ankesës së qytetarit, Rama ka kërkuar sqarimin nga drejtori i Hipotekës, i cili tha se “… me aq dijeni sa kam, ka mbivendosje”.

Por Rama e urdhëroi kreun e Hipotekës në Laç, që qytetarit t’i jepej hipoteka e shtëpisë.

“Nesër në mëngjes zotëria do vijë të takojë, do çosh specialistët dhe mbi bazën e gjendjes faktike do t’i japësh certifikatën. Mbivendosja është për shkaqe hartash se shtëpinë e ka atje. Shko jepi certifikatën në dorë dhe pasdite pres lajmin nga ti që zgjidhe problemin. Po nuk erdhi lajmi nga ti tek unë, do vijë lajmi nga unë te ti dhe nuk do jetë lajm pozitiv”, – tha Kryeministri. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.