“Qiell i Heshtur”, vlerësim për kontributin e grave që bënë histori në botë

TIRANE,8 Maj /ATSH/ – Historia mahnitëse e jetës së astronomes Henrieta Levit, (një nga astronomet e para në Harvardin e 1900-ës) dhe kolegeve të tjera që realizuan hartën e yjeve në univers, rikthehet përsëri për publikun artdashës në Tiranë pas kërkesave të shumta.

“Qiell i Heshtur”, komedia gjysmë biografike e shkruar nga Loren Gunderson është një vepër që eksploron marrëdhënien mes muzikës dhe matematikës, shkencës dhe besimit. Këmbëngulja, energjia, pasioni dhe vizioni e bëjnë një vajzë nga Bostoni të ndjekë ëndrrën e saj.

Është një ndodhi njerëzore, që i flet shoqërisë, dje dhe sot. Është nje vepër, e cila flet për marrëdhëniet familjare, besimin, fuqinë e mendjes dhe shpirtit, mbështetjen, solidaritetin dhe këmbënguljen për të kërkuar dritë në thellësitë e pandriçuara.

Jo vetëm një shfaqje e jashtëzakonshme, por edhe një holl magjik, me instalacione dhe dekore të cilat teatri Metropol i ka vendosur me shumë kujdes dhe dashuri për ta bërë eksperiencën e artdashësve akoma më të veçantë ku një foto e bën edhe të paharrueshme.

Publiku do të shoh materialet e punës së astronomeve dhe do të lexoj historinë e vërtetë të personazheve të shfaqjes “Qiell i Heshtur” në hollin e sallës Shekspir.

Kjo shfaqje rivjen në Metropol si një vlerësim për kontributin e këtyre grave që bën histori në botë dhe veprën që na lanë e cila do të shfaqet për publikun për publikun në datat 10, 11, 12, 13, 17, 18, 19, 20 Maj, ora 19:00 ./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.