Pyetja e kryeministrit: Cilat taksa janë rritur?

TIRANË, 8 maj/ATSH/ – Ndryshe nga çdo herë tjetër, takimi i bashkëqeverisjes në Laç ka nisur me një pyetje: A ka ndonjë nga ju që mendon se janë rritur taksat? Dhe cilat taksa konkretisht janë rritur?” – iu drejtua Kryeministri Edi Rama sallës.

Pas pyetjes së Kryeministrit, një prej qytetarëve tha se taksa janë drita, ujë, këto janë.

Në përgjigje, Kryeministri Rama sqaroi se drita dhe uji nuk janë taksa, por janë mall.

“Janë mallra që blihen dhe paguhen. Dhe sigurisht kur nuk i ke paguar përpara dhe fillon t’i paguash, të duket qamet i madh. Shtresat më korrekte me pagesën e dritave në Shqipëri kanë qenë pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar, dy pikat më të dobëta të gjithë organizmit shoqëror. Ka ndonjë që mund të më thotë se ka dhe më pak se sa ç’kanë këto dy kategori? S’ka si ta thotë. Kanë paguar drita pensionistët pa pushim, pa ndërprerje, se erdhi Saliu, se iku Saliu, se u përmbys shteti më ‘97, ata kanë qenë paguesit më korrektë të dritave. Dritat nuk janë taksa, janë mall. Uji s’është taksë. Është tipike që në Shqipëri ankohen për rritjen e taksave ata që s’paguajnë taksat”, – tha Kryeministri.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.