PEKIN – Kina do të përpiqet për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të Iranit

PEKIN, 8 maj /ATSH/ – Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Geng Shuang u shpreh të martën në një konferencë për shtyp se ruajtja e tërësisë dhe e seriozitetit të marrëveshjes së gjithanshme bërthamore iraniane do të jetë në të mirë të sistemit ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve bërthamore dhe do të nxitë paqen e stabilitetin në Lindjen e Mesme, shkruan CRI-ja.

Geng shtoi se Kina do të vazhdojë të ketë një qëndrim objektiv, të drejtë e të përgjegjshëm dhe do të mbajë lidhje të ngushta me palët, për të vazhduar të përpiqet për ruajtjen dhe zbatimin e marrëveshjes së gjithanshme bërthamore të Iranit.

Sipas njoftimeve, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi që do të shpallë së shpejti nëse ShBA-ja do të tërhiqet apo jo nga marrëveshja bërthamore e Iranit. Analistët vënë në dukje që tërheqja e ShBA-së nga kjo marrëveshje do të ishte një hap i gabuar.

Lidhur me këtë, Geng Shuang-u u shpreh se, “kohët e fundit, palët i kanë kushtuar vëmendje marrëveshjes së gjithanshme bërthamore të Iranit. Kina e ka deklaruar tashmë qëndrimin e vet. Problemi bërthamor iranian është një marrëveshje shumëpalëshe e arritur nga gjashtë vendet, Bashkimi Europian dhe Irani, dhe është pranuar edhe nga rezoluta nr.2231 e Këshillit të Sigurimit. Në gjendjen e tanishme, ruajtja e tërësisë dhe e seriozitetit të marrëveshjes së gjithanshme bërthamore të Iranit është në të mirë të sistemit ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve bërthamore dhe mund të nxitë paqen e stabilitetin në Lindjen e Mesme. Palët duhet të shtojnë bashkërendimin, të trajtojnë siç duhet mosmarrëveshjet dhe të vazhdojnë të zbatojnë detyrimet përkatëse. Kina do të vazhdojë të ketë një qëndrim objektiv, të drejtë e të përgjegjshëm, të ruajë lidhjet e ngushta me palët dhe të përpiqet për ruajtjen e marrëveshjes së gjithanshme bërthamore të Iranit.” /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.