Në ankand edhe ëmbëlsirat e martesave të mëparshme mbretërore britanike

TIRANË, 8 Maj/ATSH/.- Mbeten vetëm 12 ditë nga Dasma Mbretërore. Tashmë përgatitjet janë drejt fundit dhe dihen të ftuarit, dëshmitarët e dasmës dhe stilisti që do të veshë nusen.

Por, për ata që nuk janë të ftuar, ka edhe një mundësi tjetër për të “shijuar” një pjesë të ceremonisë mbretërore. Muajin e ardhshëm në Las Vegas, jo më pak se disa feta origjinale të ëmbëlsirave nga martesat e mëparshme të krerëve britanikë të kurorëzuar, do të dalin në ankand.

Pesë ëmbëlsira për 5 dasma. Më e kërkuara do të jetë ndoshta ajo që kanë prerë princi Charles dhe Lady Diana. Do të shitet në një kuti të bardhë të vendosur me një shkrim argjendi “Buckingham Palace 29 korrik 1981”.

Vlerësohet se vlera e saj është midis 800 dhe 1200 dollarë. Por, do të jetë edhe torta e martesës së dytë të trashëgimtarit të fronit të Anglisë, ajo me Camilla Parker Bowles.

Më pas, ëmbëlsira e përgatitur për bashkimin e pafat midis princit Andrew, Dukës së York dhe Sarah Ferguson, në vitin 1986.

Një tortë edhe më e vjetër do të jetë ajo që hëngri princeshë Anna, vajza e katërt e Mbretëreshës Elizabeth, me rastin e dasmës së saj të parë me kapitenin Mark Phillips.

Natyrisht nuk mund të mungojë ajo e Dasmës Mbretërore më të vlerësuar në vitet e fundit: martesa midis Princit William dhe Kate Middleton.

Nga vijnë të gjitha ? “Të gjitha pjesët na janë dhënë nga njerëz që morën pjesë në ngjarjet dhe i mbajtën në frigorifer,” i tha Reuters, Darren Julien, CEO i shtëpisë së ankandeve në Las Vegas.

Ai shtoi : “Ato nuk janë ruajtur me asnjë mjet tjetër dhe nuk janë të ngrënshme”.

Në rastin e dukëve të Cambridge, William dhe Kate, ndoshta ishte më e thjeshtë: e njëjta familje u kishte dhënë mysafirëve pjesë të tortës, në një kuti me mbishkrimin: “Me urimet më të mira nga Princi Çarls i Uellsit dhe Dukeshës së Cornwall , për të festuar martesën e Dukës dhe dukeshës së Kembrixhit “.

Çdo fetë do të vijë për një çmim që varion midis 300 dhe 800 dollarë./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.