Dy akse të reja rrugore të kategorisë A

TIRANË, 8 maj /ATSH/- Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve Afrim Qendro, tha se janë miratuar dy projekte të rëndësishme të akseve rrugore Balldren-Milot dhe Thumanë-Kashar, punimet e të cilave do të fillojnë në muajin tetor.

Duke marrë fjalën në takimin me qytetarë të Laç në kuadër të turit të llogaridhënies, Qendro theksoi se investimet në këto dy vepra të rëndësishme të infrastrukturës rrugore do të plotësojnë standardet më të larta të sigurisë rrugore, duke i klasifikuar akset Balldren- Milot dhe Thumanë-Kashar si rrugë të kategorisë A.

Investimet në sektorin rrugor tha ai, parashikojnë ndërhyrjen në projekte rrugore që janë nisur vite më parë dhe nuk kanë përfunduar, ose janë lënë në mes, duke shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin e mjeteve dhe sigurinë e këmbësorëve.

“Projekti në rrugën Fushë-Krujë-Thumanë do të rehabilitojë dhe përmirësojë shtresat rrugore të këtij aksi. Ky investim do të zgjidhë të gjithë problematikën që ka pasur kjo rrugë”, – tha Qendro.

Ndërkohë vijoi ai, kemi bërë rregullimin e të gjitha kryqëzimeve në rrugën Borizanë- Thumanë. Kemi vendosur një mbikalim këmbësorësh, pa arritur në Thumanë, ku funksionon edhe një shkollë fillore për të rritur elementët e sigurisë rrugore si dhe për të zgjidhur një problem të madh të lëvizshmërisë.

Gjithashtu, drejtori i Rrugëve tha se do të vendosim e shtrojmë bordura përgjatë rrugës Thumanë-Milot. Projekti i vendosjes së kaldrenave nga Thumana në Milot ka nisur që në vitin 2011, por për shkak të mos financimit në vite shtrim i tyre nuk ka përfunduar, tha ai.

Qeveria shqiptare ka parashikuar që brenda këtij viti të vendosin kaldrenën për gjatë gjithë rrugës dhe të riparojmë çarjet. Ndërsa nga Miloti deri në Skurraj ka nisur një projekt për mbrojtje lumore, theksoi Qendro.

Ai informoi se, projekti për mbrojtjen lumore për mungesë financimi, ndonëse ishte emergjent, nuk ka përfunduar. Por ne do ta përfundojmë këtë projekt brenda muajit qershor, tha Qendro. /e.xh//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.