AKU mbyll një subjekt në Shkodër, i vendos 2.4 milionë lekë gjobë

TIRANË, 8 maj/ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, gjatë një inspektimi në Shkodër konstatoi shkelje në subjektin “CULIQI”, që merrej me përpunim, konservim e ambalazhim të fruta-perimeve.

AKU vendosi mbylljen e aktivitetit si dhe masa administrative me 2.4 milionë lekësh gjobë në total.

Sipas AKU-së, ky subjekt prodhonte dhe tregtonte në kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme dhe për këtë fakt i është dhënë dënimi administrativ me 500 mijë lekë.

Këtij subjekti i i mungonte plani i vetëkontrollit HACCP dhe për këtë është dënuar me gjobë prej 200 mijë lekësh, gjithashtu subjektit nuk i funksiononte sistemi i gjurmueshmërisë dhe për këtë ka marrë një tjetër dënim administrativ me 200 mijë lekë.

Subjekti kryente procese të tjera pa licencë si, ambalazhimin e vajit të sallatës, ullirit dhe prodhimin e majonezës dhe për pasojë janë marrë sërish masa administrative prej 1 milion lekë.

Inspektorët e AKU-së kanë gjetur në ambientet e subjektit 20 vazo me nga 200 gr mjaltë jashtë afateve të përdorimit. Për hedhjen në treg të ushqimeve të pasigurta subjekti ka marrë një tjetër masë administrative me 500 mijë lekë gjobë.

Nga trupat inspektuese të DRAKU-së Shkodër u morën 24 mostra për analiza në laborator dhe u bllokuan sasitë e produkteve gjendje 27 144 kg deri në daljen e përgjigjeve të analizave. Për sasitë e produkteve të pasigurt sa më sipër janë bllokuar dhe do asgjësohen. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.