Aksi i ri Milot-Balldre me 6 korsi, tunel 850 metra që lidhë Lezhën me Shkodrën

1516

TIRANE, 8 Maj/ATSH/-Ndërtimi i aksit rrugor Milot-Balldren do të mundësojë integrimin në të gjithë zonën me një potencial për zhvillimin e turizmit dhe do të ofrojë mundësi të re të shpejtë transporti.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci prezantoi sot projektet për zhvillimin e qarkut të Lezhës ku veçoi ndërtimin e këtij segmenti rrugor duke e konsideruar atë si jetik për zhvillimin e zonës.

“Rruga e re do të ndërtohet me standarde ndërkombëtare të kategorisë A, me një gjatësi rreth 18 km, me 6 korsi nga të cilat dy janë të emergjencës, rrugët sekondare ndërlidhëse, me gjatësi rreth 9.5 km. Do të ndërtohen urat e reja te Drinit dhe te Matit, paralele me urat ekzistuese, nënkalime si dhe vepra te tjera, të gjitha këto për të lehtësuar dhe rritur sigurinë në qarkullimin e automjeteve të zonave përreth”, tha Beci.

Konkretisht, shtoi ai, segmenti i propozuar shtrihet përgjatë aksit të rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri ne Balldren ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës, nëpërmjet një tuneli 850 metra lineare të gjatë.

“Ky investim do t’i japë një zgjidhje përfundimtare trafikut në zonën urbane të Lezhës dhe kryqëzimin me Shëngjinin, do të shkurtoje ndjeshëm kohën e udhëtimit në superstradën Shkodër –Tiranë e do të rrisë sigurinë për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve”, theksoi kreu i FSHZH-së./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.