70 milionë lekë për rehabilitimin e aksit Shëngjin-Port, lehtësim për mbi 400 mijë turistë

TIRANË, 8 maj/ATSH/- Rehabilitimi i aksit rrugor Shëngjin-Port do të lehtësojë lëvizjen për mbi 8 mijë banorë të zonës, u vjen në ndihmë mbi 250 bizneseve përreth, si dhe do të arrijë të përmirësojë përvojën e mbi 400.000 turistëve që vizitojnë këtë zonë nga më të bukurat në Veri

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Benet Beci deklaroi sot nga Lezha se rehabilitimi i  këtij aksi rrugor që shtrihet nga kryqëzimi i Shëngjinit deri në Port do të lehtësojë lëvizjen e mjeteve sidomos gjatë sezonit turistik, pasi sot ky aks nuk e përballon fluksin.

Sipas Becit, projekti parashikon edhe ndërhyrjen në sinjalistikë.

“Paralelisht me investimet e reja, janë marrë masa afatshkurtra për rehabilitimin e rrugës ekzistuese që shtrihet nga kryqëzimi për në Shëngjin deri në Port. Rruga është tejet e amortizuar në pjesën dërrmuese të saj dhe nuk përballon dot fluksin e lëvizjeve të mjeteve kryesisht gjatë sezonit turistik”, – bëri të ditur Beci.

Segmenti rrugor do të asfaltohet dhe do të pajiset me sinjalistikën përkatëse në të gjithë gjatësinë prej 3.37 km.

“Është shpallur tenderi për punimet e zbatimit për një vlerë investimi prej 70 milionë lekësh”, – tha ai.

Projekti i cili pritet të nisë së shpejti, i jep një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për lëvizjen drejt Shëngjinit dhe më tej, nëpërmjet ndërtimit të një rruge të re rotondo e Lezhës-Hyrje Shëngjin (Lapidari), për të cilën ka përfunduar tashmë projekti teknik. Kjo rrugë më pas do të vijojë me një by-pass të qytetit të Shëngjinit, për të përfunduar te Porti, e cila është në fazë konceptimi.

Ky investim, sipas kreut të FSHZH-së, do të sigurojë jo vetëm lehtësimin e lëvizjes së mbi 8000 banorëve të zonës, por do t’i shërbejë edhe rreth 280 bizneseve të Shëngjinit si dhe do të arrijë të përmirësojë përvojën e mbi 400.000 turistëve që vizitojnë këtë zonë nga më të bukurat në Veri.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.