“1 miliardë për Rindërtim”, 70% e investimeve në veri

209

TIRANË, 8 maj /ATSH/- Nga programi “1 miliardë për Rindërtim” katër projekte të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, do të ndërtohen brenda këtij mandati.

Kryeministri Edi Rama tha të martën gjatë takimit të turit të llogaridhënies në Laç se, tre nga këto katër projekte; rruga “Thumanë-Kashar”, “Milot-Balldre” dhe “Rruga e Arbrit”, janë projekte që përshkojnë Shqipërinë e Veriut. Ndërsa i vetmi projekt që i takon pjesës së Jugut të vendit nga ky program është rruga “Vlorë-LLogara”.

“75% e kostove totale të këtij programi shkojnë nga Shqipëria e lartë”, – tha Rama.

Përsa i përket pjesës së zhvillimin të infrastrukturës, Kryeministri tha se do të ketë dy elementë.

“Do të ndërtohet rrugë kombëtare me standarde”, – tha ai, ndërsa shtoi se këto rrugë që kemi tani janë si shtigje.

Programi “1 miliardë për Rindërtim” do të ketë një impakt të fortë ekonomik në rritjen e punësimit dhe të ekonomisë kombëtare, pasi ka projekte të tjera si by-pass-i Fier-Vlorë, Kardhiq-Delvinë e deri në by-pass-in e Tepelenës e ndërtimi në aksin Tiranë-Durrës të rrugës Kashar-Rrogozhinë që do të shkurtojnë ndjeshëm distancën mes qyteteve dhe do të sjellin një realitet të ri bashkëkohor në infrastrukturën e vendit, u shpreh Kryeministri. /e.xh/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.