Rruga Tiranë-Elbasan: Sigurohet financimi shtesë, në qershor nis puna

TIRANË, 7 maj/ATSH/- Për të mundësuar përfundimin e pjesën e mbetur të rrugës Tiranë-Elbasan, qeveria ka siguruar financimin shtesë, ndërsa pritet që në qershor të nisë puna.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka deklaruar se tashmë janë siguruar 14 milionë dollarë shtesë për pjesën e mbetur të rrugës Tiranë-Elbasan.

“Ne kemi siguruar financimin dhe pritet miratimi shtesë prej 14 milionë dollarë, që do të bëjë të mundur përfundimin e segmentit të mbetur që lidhet me Elbasanin dhe rruga do të jetë e hapur. Kemi edhe problemin e rrëshqitjes, që kërkon një financim shtesë prej 4.5 milionë euro nga studimi që është bërë dhe do të duhet të ndërhyhet me buxhetin e shtetit”, – tha Gjiknuri.

Ministri shtoi se “ne parashikojmë që në qershor të merret plotësisht miratimi dhe të fillojë puna. Aty ka mbetur jo më shumë se 2-3 muaj punë”. 14 mln dollarë të tjera do të shkojnë për të përfunduar segmentin nga zona e Ibës në Tunelin e Elbasanit. z.tosku//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.