Pjesë e abuzimeve me pronat edhe gjyqtarë e prokurorë

TIRANE, 7 Maj/ATSH/- Gjatë turit të llogaridhënies në Lezhë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te çështja e të drejtës së pronës.

“Nëse reforma në drejtësi që ne e nisëm 3 vite më parë do të ishte bërë 23 vite më parë, nëse do të ishte bërë pastrimi i gjykatësve dhe prokurorëve dhe procesi i rekrutimit të tyre do të ishte transparent dhe i pastër, nuk do të kishim sot kaq shumë probleme dhe konflikte me pronat”, tha Rama.

Duke iu referuar rastit të abuzimeve me pronat në bregdetin e Lezhës, Rama tha se “gjykatësit dhe prokurorët kanë qenë pjesëtarë në atë çështje të hapur”.

“Janë edhe gjykatës dhe prokurorë ata që kanë marrë pjesë në ato abuzime. Sikur reforma në drejtësi të ishte bërë 20 vite më parë, nuk do të kishim ardhur në ditën që të thoshim të gjithë politikanët janë hajdutë dhe s’po shkon njeri në burg. Pasi këtë nuk mund ta bëjnë gjykatësit e korruptuar”, tha Rama. /m.marini/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.