KINEMA – Vdes Ermanno Olmi, fitues i Palmës së Artë

ROMË, 7 maj /ATSH-AFP/ – Kineasti italian, Ermanno Olmi, fitues i Palmës së Artë në festivalin e Kanës në vitin 1978 me “The Tree of Wooden Clogs”, vdiq në moshën 86-vjeçare, njoftoi Ministria italiane e Kulturës.

I sëmurë që prej shumë vitesh, kineasti autodidakt në llojin dokumentar, vdiq dje në spitalin e Asiagos, pranë Viçences (në veri të Italisë), ku ishte shtruar për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

“Vdekja e Ermanno Olmit privon kulturën italiane nga një gjigant, një mjeshtër i madh i kinemasë italiane”, theksoi ministri i Kulturës, Dario Franceschini.

“Intelektual i thellë, i cili ka bërë kërkime dhe ka eksploruar misteret e njeriut dhe ka treguar me poezi, që karakterizon veprat e tij, raportin mes njeriut dhe natyrës, dinjitetin e punës dhe spiritualizmin”, shtoi ai.

I lindur në Bergamo më 24 korrik 1931, ai ka realizuar 40 filma me metrazh të shkurtër dhe 20 filma me metrazh të gjatë, ku ndër më të njohurit ishte “The Tree of Wooden Clogs”, (“L’albero degli zoccoli”), një përshkrim i jetës së katër familjeve fshatare të varfra në fund të shekullit XIX.

Filmi, konsideruar si një vepër e madhe e kinemasë italiane, fitoi Palmën e Artë në Kanë në vitin 1978 si dhe çmimin Cesar për filmin më të mirë të huaj në Francë, një vit më pas./
/ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.