FOTO/ Ish-kinemaja e Tepelenës, nga një karantinë në një kantier punësimi

TIRANË, 7 maj/ATSH/ – Nga një karantinë e lënë në harresë, ish-kinemaja e Tepelenës është kthyer në një kantier punësimi për dhjetra familje tepelenase.

Dikur ajo ishte kinemaja dhe qëndra sociale e qytetit, ku mblidhte brenda saj qindra njerëz banorë të Tepelenës, për shfaqjet e filmave dokumentarë të kohës.

Por, pas viteve ’90, si shumë ndërtesa të tjera edhe pse me një kapacitet mbajtës relativisht të lartë dhe në gjendje tepër të mirë funksionale, ajo nuk mundi t’i shpëtoj shkatërrimit dhe harresës.

Tashmë, 30 vjet më vonë, ajo është në qendër të vëmendjes së Bashkisë së Tepelenës, për ta vënë në efiçencë dhe për të krijuar mundësinë e punësimit për të gjitha ato nëna dhe të reja, familjare që me të drejtë kërkojnë të ndihmohen dhe të punësohen.

Falë përpjekjeve dhe mbështetjes së investitorëve, një biznes fason i ngritur në këto ambiente i ofron dhjetra familjeve që dikur ishin pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, shpresën për punësim real dhe të domosdoshëm, në një qytet ku gjenerimi i të ardhurave për frymë ngelet në shifra ulëta krahasuar me të tjera qyetete në vend.

Me përfundimin e plotë të rikonstruksionit të godinës, financim i bashkisë, tashmë ka nisur puna dhe aktualisht gjenden të punësuar rreth 30 punonjës, ndërsa pritet që numri i tyre në vazhdimësi të dyfishohet./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.