Ekonomia detare, Shqipëria pjesë e projektit “4helix+” të BE-së

TIRANË, 7 Maj/ATSH/.- Shqipëria është bërë pjesë e projektit 4helix+, që eksploron mundësitë e bashkëpunimit mes biznesit privat, qeverisë, qarqeve akademike dhe komunitetit për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë detare, një sektor me potencial të jashtëzakonshëm.

Projekti 4Helix+ financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet programit Interreg Med dhe vendet partnere me të cilat Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që do të përfaqësojë Shqipërinë, do të bashkëpunojë ngushtësisht janë Spanja, Portugalia, Franca, Italia dhe Greqia.

Objektivi kryesor është ngritja e kapaciteteve dhe financimi i ideve dhe qasjeve novatore në sektorin e ekonomisë detare të Mesdheut, që vlerësohet si një nxitës ekonomik dhe një gjenerator punësimi.

Ndikimi i menjëhershëm i këtij projekti është marrja e përvojave, ideve dhe metodologjive novatore të përdorura në vendet e Bashkimit Europian dhe përshtatja e tyre në Shqipëri. Bashkëpunimi me një grup ekspertësh të huaj të fushës është gjithashtu një nga përfitimet direkte.

Projekti do të zgjasë 30 muaj dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të bashkëpunojë me institucionet qeveritare në nivel qëndror dhe lokal, biznesin privat, qarqet akademike dhe komunitetin e zonave bregdetare.

Kjo është gjithashtu një mundësi shumë e mirë për të nxitur frymën e bashkëpunimit dhe ndarjes së përvojave e modeleve të suksesshme me vendet e Mesdheut.

Ekonomia detare përfshin tërësinë e aktiviteteve ekonomike që bazohen në shfrytëzimin e burimeve detare: që nga peshkimi dhe transporti detar deri te turizmi dhe industritë e ndryshme.

Shumë qytetarë në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të zhvilluara, varen nga deti dhe burimet e tij. Për këtë arsye është jetësore që vende si Shqipëria të eksplorojnë modelet e vendeve të Bashkimit Europian për të kthyer këtë burim në një gjenerues punësimi dhe mirëqenieje. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.