1 mijë ankesa çdo muaj në Platformën e bashkëqeverisjes dhe qindra raste të zgjidhura

TIRANË, 7 maj/ATSH-Maela Marini/ – “Platforma e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al është rruga e duhur për të zgjidhur sa më shumë çështje në kohë reale dhe për të pastruar zyrat e shtetit nga punonjës që nuk e meritojnë të marrin rrogën nga paratë e taksapaguesve, sepse nuk zbatojnë ligjin”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Lezha, duke bërë edhe njëherë thirrje që qytetarët të përdorin këtë platformë, si instrumenti i ri në dorën e çdo qytetari të zakonshëm për të bashkëpunuar drejtpërdrejt me qeverinë.

“Për zgjidhjen e një halli me administratën, për nisma në komunitet, për të thirrur në interpelancë kryeministrin apo ministrat sipas procedurës parlamentare, është adresa që çon te platforma shqipëriaqëduam.al”, – tha Rama.

Ai sugjeroi përdorimin e këtij instrumenti, sa herë që qytetarët ndeshen me një problem në zyrat e shtetit. “Në vend që të sorollaten për të gjetur mik, apo për të paguar ryshfet për një shërbim që i takon me ligj, përmes kësaj platforme vihet në lëvizje ministri”, – shtoi Rama.

Ai nënvizoi se “kemi raste të panumërta që tregojnë se kjo platformë funksionon”. “Janë rreth 1 mijë çështje çdo muaj nga platforma dhe qindra zgjidhje për ato raste që lidhen me administratën, marrjen e dokumenteve të Hipotekës, Aluiznit, apo që kanë të bëjnë me të drejta të mohuara”, – tha Kryeministri.

Ai kërkoi që të forcohet sa më shumë kjo urë komunikimi për të zgjidhur problemet e njerëzve pa humbur kohë.

“Në rast se brenda 10 ditëve nuk u jepet zgjidhja, qytetari informohet se zgjidhja do të kërkojë edhe pak kohë dhe zgjidhja jepet sa herë që i takon qytetarit. Por ama, pasi jepet zgjidhja puna nuk mbaron aty, sepse menjëherë drejtuesi i institucionit, ministri apo ministrja nis një hetim pse u vonua dhe kush e vonoi zgjidhjen e problemit dhe personat përgjegjës largohen nga puna”, – tha Rama.

Sipas tij, largohen nga zyrat ata punonjës që nuk i përgjigjen kërkesave të qytetarëve dhe shkojnë edhe për ndjekje penale kur konstatohet se mungesa ka qenë e qëllimshme për arsye korruptive.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.