Kullat, shprehjet më kuptimplota e cilësore të zhvillimit të kryeqytetit të së ardhmes

262

TIRANË, 6 maj/ATSH/- “Blloku i ri i kullave që do të ndërtohet përgjatë bulevardit të ri të Tiranës janë shprehjet më kuptimplota e cilësore të zhvillimit të kryeqytetit të së ardhmes”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e zhvilluar në kuadër të hapjes së segmentit të dytë të bulevardit.

“Në aspektin e zhvillimit ekonomik e social do të ndikojë edhe çuarja përpara e kësaj pune me fillimin që lajmëroi kreu i bashkisë të dhënies së lejeve të ndërtimit për gjithë bllokun e ri që parashikon projekti dhe ku uroj të shohim sa më shpejt kulla të reja. Në Tiranë zhvillohet një debat idiot lidhur me ato që janë pikërisht shprehjet më kuptimplota e cilësore të zhvillimit të kryeqytetit të së ardhmes”, theksoi kryeministri.

E kam fjalën, shtoi Rama, për ndërtimet ikonike të Tiranës që janë kullat e parashikuara në planin francez dhe do të pasohen besoj sa më shpjet edhe me kullat e planifikuara në këtë anë të Tiranës.

“Bëhet fjalë për zhvillime të domosdoshme në të gjitha aspektet, ekonomike, sociale e mjedisore dhe gjithçka thuhet lidhur me to, për t’i kundërshtuar është thjeshtë dhe vetëm një absurditet i plotë”, deklaroi shefi i ekzekutivit.

Ai shprehu besimin së në këtë zonë falë edhe një mundësie që ka pasur zona për t’u ndërtuar të gjitha gjëra me radhë, pra për të pasur një infrastrukturë nëntokësore të ndërtuar paraprakisht duke parashikuar të gjithë ndërtimin e mëtejshëm, do të kemi jo thjesht blloqe të reja banimi biznese e argëtimi por, theksoi kryeministri, do të kemi blloqe banimi të një cilësie tërësisht të re.

 

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.