KINË – Pekini fillon aplikimin e hapjes së sektorit financiar për investitorët e huaj

PEKIN, 6 maj /ATSH/ – Masat e shpallura muajin e kaluar për të hapur më tej sektorin financiar të Kinës janë tani në zbatim, me pjesëmarrjen e një numri investitorësh të huaj, njofton CRI-ja.

UBS-ja po aplikon për të rritur aksionet e saj në “UBS Securities” nga 25% në 51%, duke marrë kështu drejtimin në këtë kompani.

Ky veprim ndodh pas publikimit nga Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë në Kinë të një rregulloreje të re në fund të muajit të kaluar, lidhur me investimet e huaja në në akesinet e firmave kineze. Rregullorja e re lejon zotërimin nga aksionarët e huaj deri në 51% të aksioneve të një firme me qendër në Kinë.

Investitorët e huaj të kualifikuar tani mund të paraqesin aplikime për të regjistruar një ndryshim në pjesën kontrolluese.

Studiuesi i çështjeve makroekonomike në “China Merchants Securities”, Xie Yaxuan, thotë se “kjo masë tregon qëndrimin e sinqertë të Kinës për sa i përket hapjes së ekonomisë së saj”.

“Nga njëra anë, ne i lejojmë bizneset e huaja që të zotërojnë aksione në firmat e përbashkëta të letrave me vlerë, gjë që tregon se ne jemi të sinqertë në hapjen e sektorit tonë të letrave me vlerë ndaj pjesës tjetër të botës. Nga ana tjetër, fondet dhe investimet e huaja janë të interesuara për tregun e kapitaleve në Kinë, kështu që të dyja palët mund të marrin pjesë lehtësisht në të”, theksoi ai.

Ai shton se “hapja e sektorit të letrave me vlerë është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të Kinës”.

“Ndonëse do të ketë më shumë konkurrencë me investitorët e huaj, tregu do të zgjerohet edhe falë pjesëmarrjes së tyre. Një treg i zgjeruar do të sjellë më shumë mundësi për firmat vendase të letrave me vlerë”, vazhdoi Xie Yaxuan.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.