Bashkëjetesa mes të vjetrës dhe modernes, një copëz histori nga Tirana në Venecia

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155786205926523/

 

TIRANE, 6 Maj/ATSH/- Në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2018, Shqipëria do të përfaqësohet me projektin “Hapësira zero”, i cili ka zgjedhur portat e vjetra të marra nga banesa në Tiranë, si element për të shpjeguar Tiranën ku bashkëjetojnë e vjetra dhe modernia.

Me videon e këtij projekti të veçantë, kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjesi ndjekësit në facebook.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga përgatitjet për prezantimin e Shqipërisë në Biennalen ndërkombëtare të Venecias 2018, ju uroj një të dielë të qetë”, shkruan Rama.

I paraqitur nga Commonsense.studio, Varka Arkitekturë, Fablab Tirana dhe kuruar nga Elton Koritari, projekti sjell një pjesë të mjedisit urban të Tiranës në Venecia, një pjesë që Tirana po humbet në procesin e zgjerimit urban dhe rindërtimit. Ekipi përkthen dhe interpreton natyrën e çastësishme të jetës së Tiranës, kap një moment nga fluksi i saj dhe ja dorëzon atë publikut të Biennales.

Një instalacion që interpreton pozitivisht një fenomen që lind si social, por që përkthehet në një energji që modelon nëpërmjet arkitekturës së qytetit të gjithë mënyrën tonë të jetës, në një pikëtakimi domethënëse të njeriut me hapësirën.

Seria e dyerve e instaluar në ‘Hapësirën Zero’,  linjëzon kalimin mes të brendshmes dhe të jashtmes në urbanistikën bashkëkohore të Tiranës, karakterizuar nga prezenca e shumë dyqaneve, punishteve, kafeneve, të pranishëm kudo nëpër qytet dhe pothuaj 24 orë në shërbim të qytetit.

Pasuri e një kulture antike e adaptuar në mënyre kreative me nevojat e përditësuara të qytetarëve për një hapësirë totalisht në dispozicion, një hapësirë të lirë për publikun.

Për këto arsye, “Hapësira Zero” e Tiranës ridimensionon qytetin në shkallë njerëzore, duke u kthyer tashmë në këtë hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten.

Tirana do të hapë dyert e saj komode, plot ngjyra dhe tinguj primordialë, në Biennalen e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.