18 mijë vende të lira në ekonomi

TIRANË, 6 maj/ATSH/- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj zhvilloi dy takime në kuadër të turit të llogaridhënies publike “Puna për Shqipërinë që Duam”.

Ahmetaj u ndal fillimisht në njësinë Lekaj të Bashkisë Rrogozhinë, i shoqëruar nga drejtuesit e institucioneve kryesore vendore.

Ministri theksoi se gjatë katër viteve të mandatit të parë janë ndërmarrë reforma të rëndësishme në sektorët kyçë, por ende shumë çështje mbeten për t’u adresuar.

“Ia kemi dalë të lëmë mbrapa atë krizën e qëllimshme që na lanë paraardhësit në 2013. Por e vërteta është që akoma jemi shumë larg asaj që duhet të jemi. Në katër vitet që kaluan janë krijuar mbi 220 mijë vende të reja pune. Sot në Shqipëri janë rreth 18 mijë vende të lira pune. Sfida është që tashmë që kemi kaluar në një nivel të ri, të përputhim aftësitë, me kërkesën nga sipërmarrje për aftësi”, tha ministri.

Ahmetaj i ftoi qytetarët që të bëhen pjesë aktive e bashkëqeverisjes për të ndihmuar me idetë dhe sugjerimet e tyre që të përmirësohet jetesa e përditshme.

Ai informoi edhe nisjen e 4 investimeve shumë serioze nga qeveria këtë vit. “Ne kemi mbyllur projektin e Vilë Bashtovë- Greth i Mesëm- Spille dhe puna do të nisë këtë vit. Do të kryeht investimi për urbanizimin e njësisë administrative Gosë, për të lidhur lagjen e sipërme me qendrën e njësisë administrative. Janë dy investime shumë serioze në arsim dhe në shëndetësi, rikonstruksioni i gjimnazit si dhe qendra, shëndetësore, në mënyrë që të përmirësojmë edhe shërbimin shëndetësor”, u shpreh kreu i financave publike.

Ajo që gjithashtu do bëjë një diferencë shumë të madhe për zonën, sipas Ahmetaj, është rruga Kashar-Rrogozhinë, që e bën zonën e Rrogozhinës si lagje të kryeqytetit që të arrihet në 15 e maksimumi 20 minuta.

“Kombinimi i përmirësimit të infrastrukturës, rrugë, ujësjellës dhe infrastrukturën e bujqësisë, kanalet vaditëse dhe kulluese së bashku me agroindustrinë, agroturizmin dhe turizmin, i japin zonës një mundësi ekonomike, një të ardhme të sigurt, në mënyrë që të gjithë ata të rinj e të reja që kërkojnë punë të mos i referohem vetëm shtetit, por të fokusohen te puna private, tek puna e bazuar te profesionet, zejet dhe sigurisht që të rrisin mirëqenien e tyre familjare dhe komunitare”, shtoi ministri.

Në takimin e zhvilluar në njësinë Synej të Bashkisë Kavajë, Ahmetaj u ndal në diskutimin për taksat, për të sqaruar atë që Ministri e quajti miti i rritjes së taksave:

“Ka një diskutim mes nesh për taksën. Ne erdhëm me moton “kush fiton më shumë, do paguajë më shumë”. Gati 85 mijë bizneseve ose ua bëmë taksën zero, ose ua ulëm taksën nga 15 në 5%. Vetëm 19 mijë bizneseve ua bëmë taksën nga 10% në 15%. Për sa i përket biznesit të vogël që përbën 80%-85% të bizneseve, që prek gati 500 mijë familje shqiptare, ne e ulëm taksën”, tha Ahmetaj.

Turi i qeverisë do të vijojë deri në fund të muajit qershor duke prekur të gjithë njësitë administrative në çdo bashki dhe qark të vendit./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.