FOTO/ Nis penalizimi i subjekteve që hedhin mbetjet në lumenj

TIRANE, 5 Maj/ATSH/- Në një nga grykëderdhjet më të ndotura në vend, Buna, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se ka nisur penalizimi i subjekteve që hedhin mbetjet në lumenj.

“Por këto penalitete ka ardhur momenti të ashpërsohen dhe do të ashpërsohen”, deklaroi Klosi në aksionin e pastrimit në Velipojë ku morën pjesë edhe zv/kryeministrja Senida Mesi e ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Anëtarët e kabinetit bashkë me 1 mijë të rinj vullnetare dhe punonjës të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit pastruan plazhin e ndotur nga mbetjet.

Aksioni,” Pastrojmë Shqipërinë që duam”, do të vijojë gjatë gjithë sezonit turistik.  Kreu i Turizmit dhe Mjedisit deklaroi se aksionet e pastrimit do të vijojnë për një sezon të mbarë turistik dhe plazhe të pastra.

Ministri Klosi theksoi se aksione të tilla kanë një mesazh sensibilizues për të gjithë ata që duan të kenë një Shqipëri më të pastër. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.