Dëshmorët e Llapit u ribashkuan në Kompleksin Memorial të tyre

346

PRISHTINE, 5 Maj/ATSH/- Me rastin e shënimit të 5 majit, ditës së dëshmorëve të Podujevës, u zbulua pllaka memoriale në kujtim të dëshmorëve të zonës operative të Llapit, të cilët tash e tutje do të prehen në kompleksin e ri memorial të dëshmorëve, ku ata u rivarrosën.

Dëshmorët e  Zonës Operative të Llapit, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që nga sot do të pushojnë të gjithë së bashku në Kompleksin Memorial të dëshmorëve të Llapit, ku sot u bë edhe zbulimi i pllakës përkujtimore për nder të tyre.

Në tubimin përkujtimore për nder të 5 majit, ditës së dëshmoreve të zonës së Llapit, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se sot po nderohen më meritoret e atdheut, ata që u flijuan për lirinë e sotme.

“Është nder për ne të gjithë, e kudo që ka shqiptarë, që sot Haki Zejnullahu merr nderimin e merituam nga bijtë e Kosovës dhe pushon me bashkëluftëtarët e vet në tokën për të cilën u flijua… Ne sot po nderojmë Zahirin, sot po e  nderojmë Ilirin, sot po e nderojmë Ali Ajetin, breza e breza luftëtarë e llapjanë, burra e djemë më të cilët kombi mburret me ta…askush prej neve në këtë tubim nuk mbërrin me ofru lavdinë e mjaftueshëm për ta….Varri i dëshmorit është nder për secilin komb, çdo komb që e çmon lirinë dhe çdo komb që ende e ka të freskët rrugën për liri dhe brezat që kanë jetu me heronjtë e dëshmorë e dinë rëndësinë e varrit e dinë rëndësinë e dëshmorit… Ky memorial nuk është për ne, ky bëhet për breza që vijnë e vijnë që ata të kuptojnë rrugën e tyre deri në liri”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai u shpreh se kujdesi për dëshmorët dhe heronjtë nuk duhet të ndalet asnjëherë.

Një fjalë rasti në akademinë përkujtimore e ka dhënë edhe Komandanti i zonës së operativës të llapit, Rrustem Mustafa. Ai tha se amaneti i dëshmorëve duhet të vazhdohet me punën e institucioneve të sotme për brezat e së ardhmes.

“Secili na ne këto e dimë shumë mirë që kjo liri, popullit tonë i ka kushtuar shumë, madje shumë”, ka thënë Mustafa duke iu bërë thirrje të gjithëve që të punohet edhe në liri me atdhedashurinë e njëjtë si në kohën e persekutimit nga pushteti serb.

Edhe kryetari i komunës së Podujevës , Agim Veliu kujtojë se amaneti i dëshmoreve nuk kryhet nëse nuk vazhdon puna institucionale në rrugën e integrimeve evropiane të cilës Kosova i ka hyrë.

“Kosova tashmë ka hyrë në rrugën e pakthyeshme të integrimeve europiane dhe kjo rrugë mban obligime dhe përgjegjësi ku ne me punën tonë dhe përkrahjen e miqve tanë, duhet të arrijmë misionin, ëndrrën dhe amanetin e dëshmorëve tonë”, ka thënë kryetari i Podujevës Agim Veliu.

Të pranishëm në akademi ishin edhe figura të tjera politike, si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, deputeti Nuredin Ibishi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve si Forcës së Sigurisë së Kosovës, parlamentit dhe ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

/KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.