Çështja Tahiri, Balla: Opozita të lërë drejtësinë të flasë

TIRANË, 5 maj /ATSH- I. Vata/ – “Zhurma e opozitës për çështjen Tahiri po pengon drejtësinë”, deklaroi sot kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, duke i kërkuar opozitës që të lërë drejtësinë të flasë.

Tashmë që Tahiri është pa mandat, tha Balla, askujt nuk i takon të flasë, përveç drejtësisë: “Gjithë kjo zhurmë e madhe në gjithë këto gjashtë muaj se gjoja imuniteti i Tahirit po pengonte hetimin e plotë të kësaj çështje. Sot, Tahiri nuk është më as me imunitet dhe as me mandat dhe sigurisht drejtësia do të bëjë punën e saj”, tha Balla.

“Ndërkohë që të gjithë gojëprishurit e opozitës, nga Saliu tek Monika, por edhe tek gënjeshtari Lulzim duhet të heshtin e të lënë të flasë drejtësia deri në çuarjen në fund të kësaj çështje”, shtoi ai.

Më tej, Balla u shpreh se “kjo është një çështje personale e Tahirit, e cila duhet hetuar vetëm nga drejtësia”.

“Askush tjetër nuk duhet të flasë më për këtë hetim të momentit sa kohë që ajo që u tha, që paska qenë vendimi i Kuvendit, i cili ka penguar hetimin e plotë të kësaj çështje, dhe kjo çështje është sqaruar prej ditës së parë, sepse edhe ai ka qenë një vendim për të standardizuar një procedurë kuvendore, tani jemi në një fazë krejtësisht të re që politika nuk do të flasë më, por do të flasi drejtësia”, tha Balla./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.