Transformohet Amfiteatri në Parkun e Liqenit të Tiranës

1160

TIRANE, 4 Maj/ATSH/- Pas lënies në harresë për më shumë se 30 vite, Amfiteatri në zonën e Liqenit Artificial tashmë ka marrë identitetin e merituar dhe së shpejti do të jetë i hapur për të gjithë kryeqytetasit.

Në 2017, Bashkia e Tiranës miratoi fondin për ta rikthyer këtë amfiteatër, në një pol të fuqishëm artistik në këtë pjesë të preferuar të kryeqytetit. Arena e artit u rikonceptua për t’i dhënë vlerë çdo shfaqjeje që do të jepet për publikun.

Me pamje nga rikonstruksioni i këtij Amfiteatri, kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjesi të gjithë ndjekësit në facebook. “MIRËMËNGJES , dhe me këtë imazh të transformimit të Amfiteatrit në Parkun e Liqenit të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Rikonstruksioni i Amfiteatrit është kërkuar vazhdimisht edhe nga një sërë artistësh të njohur shqiptarë për të pasur mundësi organizimin e disa shfaqjeve në formën e teatrit të hapur.

Teatri i Hapur, i pajisur me një skenë të mbuluar e me ndriçim të përshtatshëm, do të mirëpresë publikun me festivale, koncerte, teatër, konferenca, shfaqje të cirkut e kinema verore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të parkut në një pikë të rëndësishme kulturore e argëtimi për qytetarët.

Inaugurimi i Teatrit të hapur pritet të bëhet në fund të majit ndërsa Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka nisur edhe rezervimet për eventet, ku i pari pritet të mbahet me rastin e festës së fëmijëve, më 1 qershor, ku këngëtari grek Georgios Dalaras është parashikuar të mbajë një koncert.

Me rikonstruksionin e kësaj hapësire, pritet që jeta kulturore në kryeqytet, e veçanërisht në zonën e Liqenit, të gjallërohet edhe më shumë duke afruar qytetarët me natyrën dhe me artin. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.