Shqipëriaqëduam.al zgjidh problemin e ish-studentit shqiptar në Itali

TIRANË, 4 maj/ATSH/ – Koordinatorja e Bashkëqeverisjes në Ministrinë e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Dorela Shkëmbi tregoi mbi zgjidhje që iu dha një ish studenti shqiptar të Universitetit të Padovas, i cili priste prej 4 vitesh njehsimin e diplomës së tij, procedurë kjo që normalisht duhet të vonojë vetëm 3 muaj.

Një ankesë e tij në shqipëriaqëduam.al jo vetëm i siguroi njehsimin e diplomës, por çoi para përgjegjësisë zyrtarët që neglizhuan për një kohë të gjatë kërkesën e tij.

Gjatë intervistës, Shkëmbi vuri në dukje se një nga arsyet se pse u vonua kaq shumë njehsimi i diplomës së studentit, lidhej me neglizhimin e punonjësve të Ministrisë së Arsimit.

Ajo shpjegoi se sipas procedurave ligjore, kur aplikimi për njehsimin e diplomave online kryhet brenda 45 ditëve, ndërsa kur kryhet në procedurë shkresore duhet të kryhet brenda 3 muajve. Pas ankesës së qytetarit, Ministria e Arsimit vuri para përgjegjësisë përgjegjësit përmes ndryshimit të grupit të punës dhe nisjes së procedimit disiplinor për personin përkatës. Sakaq, Zyra për Bashkëqeverisjen i dërgoi e-mail qytetarit mbi zgjidhjen e çështjes.

“Bëhet fjalë për një qytetar, i cili ka përfunduar studimet në Universitetin e Padovas në Itali. Në shtator të vitit 2013 ka depozituar një kërkesë me shkrim në Ministrinë e Arsimit për njohjen e diplomës së tij. Ka pritur pothuajse për 4 vite që Ministria e Arsimit t’i mundësonte procesin e njohjes, por kjo nuk ka ndodhur.

Procesi i njësimit të diplomave është një proces kyç për ish-studentët, të cilët kthehen në atdheun e tyre dhe duan të japin kontributin e tyre, sepse kryesisht për ata që duan të ndjekin një program të dytë studimi, procesi i njohjes së diplomës është i rëndësishëm dhe për një pjesë tjetër për të aplikuar në një vend vakant pune patjetër që duhet të kenë të njohur diplomën e tyre. Qytetarit i ka shkaktuar dy dëme, njëri ka qenë herën e parë kur nuk është kualifikuar në vendin vakant të punës dhe herën e dytë ai është skualifikuar nga vendi i punës për shkak të dokumentacionit jo të rregullt të cilin e ka dorëzuar.

Arsyeja kryesore ishte neglizhimi i punonjësve të Zyrës për Njohjen e Diplomave të ministrisë së Arsimit. Justifikimi që i kishin nxjerrë është që ata nuk kishin një përgjigje nga Universiteti i Padovas. Sipas parashikimit në ligj njësimi i diplomës për aplikimet online duhet të zgjasin deri në 45 ditë, kurse për aplikimet që janë në formë shkresore duhet të zgjasin deri në 3 muaj.”

Lidhur me një rubrikë të veçantë në platformën e “shqipëriaqëduam.al”, e emëruar “Shkolla ime”, i dedikohet çdo projekt-ideje të 5 mësuesve, 5 prindërve dhe 5 nxënësve për të  kontribuar për komunitetin arsimor, ndërsa zonja Shkëmbi tha se këta të fundit përmes projekteve mund të influencojnë në ndryshimin e politikave arsimore. /z.tosku//e.caushi/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.