Gashi në SHBA, Kosova së shpejti me qendër rinore

208

PRISHTINË, 4 Maj/ATSH/.- Një qendër shumë-funksionale edukativo-rinore pritet të ndërtohet në fshatin Pjetërshan të Gjakovës me mbështetjen e shoqatës Frost Valley YMCA, në SHBA.

Kjo u bë e ditur gjatë takimit që ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, zhvilloi në SHBA me Jerry Huncosky, drejtor i Frost Valley YMCA.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si ministër nuk do ndalemi së angazhuari që në përputhje me strategjinë tonë për rininë të zhvillojmë politika progresive, të cilat do të ndikojnë dukshëm në nxitjen e rinisë së vendit tonë në aktivitete dhe programe edukative dhe sociale”, theksoi Gashi.

Qendra shumë-funksionale edukativo-rinore do të jetë në funksion të edukimit jo-formal dhe promovimit të vlerave të larta pro amerikane dhe europiane për të rinjtë e vendit tonë.

Ndërtimi i objektit të YMCA-së në vendin tonë, e cila do të fillojë së ndërtuari gjatë këtij viti në partneritet mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe organizatës GWY në Kosovë, që është anëtare me të drejta të plota në Federatën Europiane të YMCA dhe drejtohet nga Dorina Lluka-Davies, do t’i hap perspektivë mijëra të rinjve për pjesëmarrje direkte në aktivitete të shumta rinore dhe edukative, të cilat po i zhvillon kjo organizatë.

Ministri Gashi ka falënderuar drejtuesit e GWY për Kosovën për kontributin e dhënë gjatë kësaj kohe, si dhe përpjekjet e tyre për ndërtimin e kësaj qendre, duke theksuar se ka qenë synimi i tij që Kosova të bëhet me një qendër të tillë, e cila gjatë gjithë vitit do të përfshijë të rinjtë në aktivitete dhe organizime të vazhdueshme rinore./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.