Tahiri dorëzon mandatin e deputetit

TIRANE, 3 Maj/ATSH-I.Vata/- Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit, për t’u hetuar nga drejtësia.

Në një deklaratë për mediat, Tahiri deklaroi sot se “kam gjashtë muaj që hesht dhe dëgjoj lloj-lloj rrace që nuk ka lënë gjë pa më thënë dhe pa më akuzuar. Nuk do të kisha imagjinuar kurrë kaq shumë akuza për veten time; kriminel trafikant, kokë e mafies, apo dru i shtrembër. Këtë e kam quajtur kur gjyqin ta bën djalli. Pra, e kam fjalën për gjyqin moral se tjetrin e kam me drejtësinë”.

“Gjyqin po ma bën ajo rracë e politikës që kanë vjedhur dhe nuk janë ndëshkuar. Më më kanë thënë se më ka mbrojtur imuniteti, mandati i parlamentit, mazhoranca, Edi Rama. Unë them se nuk dua të më shpëtojë askush dhe asgjë. Madje kanë thënë se unë jam bërë pengesë për integrimin e Shqipërisë”, tha ai.

Tahiri shtoi se “unë drejtësinë do ta kërkojë dhe ta pres në gjykatë. Më akuzon Lulzim Basha, klloni i politikës që vodhi dhe nuk u gjykua kurrë. Vrau katër qytetarë të pafajshëm dhe kurrë nuk u hetua dhe nuk u gjykua. Më akuzon Sali Berisha, ndërkohë që vetë janë pas murit të pandëshkueshmërisë, për vrasje, vjedhje plaçkitje të Shqipërisë. Më akuzojnë Monika dhe Iliri që Zoti e di se nga do t’i kapësh nuk ka ujë të shenjtë që mund të u’a heqë njollën që kanë”.

“Unë sot kam vendosur të dorëzoj mandatin e deputetit deri kur të zbardhet e vërteta e plotë. Nuk do të jem deputet, por qytetar i thjeshtë”, theksoi ish-ministri.

Ai deklaroi se do të përballet me prokurorinë, gjykatën dhe drejtësinë siç do të përballet me palaçot e politikës që kanë vjedhur këtë popull për 25 vjet.

“Fuqia ime është e vërteta ime dhe unë do t’i shkoj deri në fund”, tha ai./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.