Strehimi social, debate në Kuvend

247

TIRANË, 3 Maj/ATSH/ -Në seancën plenare në Kuvend ka pasur debate për projektligjin “Për strehimin social”

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili akuzoi maxhorancën se është manipuluar raporti i komisionit përkatës për projektligjin “Për strehimin social”. “Maxhoranca”, tha Vasili, “i trembet konsensusit”.

“Ky projektligj ka pasur frikë të tmerrshme për tu diskutuar, pasi ka qenë një ligj për dijeni të gjithë shqiptarëve, që në 90% të tij është arnuar në rrugë e sipër. Së dyti, nga pikëpamja e procedurës parlamentare, minimalisht normale, për të reflektuar dhe formalisht një procedurë të rregullt. Dhe raporti që shoqëron këtë projektligj, ligj se do e votoni ju, është marrosur kaq shumë saqë dhe detyrimin që të reflektojë debatet që kanë qenë në komision, është minimumi i çdo relacioni, nga histeria për ta shkruar sa më parë, e për të dhënë një provë që ne e duam shumë qeverinë, as kjo nuk është reflektuar””, u shpreh Vasili.

“Ky është një raport nul, që ka devijuar atë çka ndodh në komisionin përkatës, që është detyrim për t’iu vënë sallës në dispozicion. Të votojë si të dojë po e ka detyrim edhe në bazë të rregullores dhe procedurave minimale parlamentare, pa të cilin konsiderohet një akt i manipuluar. Është manipuluar raporti i komisionit përkatës, merreni lexojeni dhe ky është shqetësim madhor për të gjithë”, tha Vasili në seancën plenare.

Nga ana tjetër Ministri i Financës dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj u shpreh se, “Vasili iu referua keqlexueshmërisë që i bën raportit të DASH. Të tre raportet e fundit flasin për ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat e jetës”.

“Progres raporti që rekomandoi hapjen e negociatave, është një ëndërr e keqe për ju dhe e mirë për shqiptarët”, tha Ahmetaj.

Ministri gjithashtu theksoi se, “Vasilit i del detyrë të votojë ligjin se dikur ka qenë i majtë”.

“Hajde mbështete këtë ligj se është në nderin tuaj”, iu drejtua Ahmetaj, Vasilit.

Sipas pr/ligjit për strehimin të drejtën për të përfituar nga programi i banesave sociale do ta kenë edhe të miturit nën 18 vjeç, në rastet kur këta të fundit janë liruar nga një vendim gjykate dhe kanë mbetur të pastrehë. Po ashtu pjesë e këtij programi do të bëhen edhe familjet apo individët që nuk kanë të ardhura apo i kanë ato të pamjaftueshme. Kategori që do të përfitojnë për shkak edhe të disa lehtësimeve që janë bërë në ligj. Ndërkohë, në ligjin e ri janë bërë dhe ndryshime sa i takon përzgjedhjes së subjekteve dhe familjeve që do të përfitojnë banesa sociale. Sipas ligjit të ri, përzgjedhja do të bëhet nëpërmjet një sistemi pikëzimi, i cili do të miratohet dhe publikohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Kritere që do të bëhen publike përpara fillimit të procesit të aplikimit. Ndërkohë që ky sistem do të hartohet dhe do të bëhet publik për çdo vit, për çdo program social që njësitë vendore bëjnë publik. Megjithatë vlen të theksohet se në programet e pikëzimit do të përfshihen vetëm individët të cilët përmbushin nivelin e të ardhurave të parashikuara sipas çdo programi. Ndërkaq, një pikë tjetër e ndryshuar në ligjin e strehimit social është dhe ajo sa i takon subvencionimit të qirasë.

Sipas ligjit të ri për të gjithë përfituesit e kategorisë së banesave me qira do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të përcaktojë shumën që këta të fundit do të paguajnë, duke mos lënë raste për abuzime.

Ndërsa sa i takon familjeve që do të përfitojnë banesa me kosto të ulët, ligji u ka lënë hapësira që këto të fundit të kenë të drejtë që të përfitojnë kredi hipotekare me kosto të ulët. Ndërkohë, në ligj është specifikuar që do të përfitojnë nga programi i banesave me kosto të ulët familjet me të ardhura mujore jo më të larta se të ardhurat mesatare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.

Me miratimin e ligjit “Për strehimin social”, do të përfitojnë strehim 24 kategori të cilat nuk i kanë mundësitë e sigurimit të një banese të re. Kështu do të përfitojnë nga programet sociale: personat me aftësi të kufizuar; punonjësit e reparteve të ndërhyrjes së shpejtë (FNSH); punonjësit e repartit RENEA; viktimat e dhunës në familje; viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit; anëtarët e komunitetit romdhe egjiptian; të miturit në konflikt me ligjin, pas ekzekutimit të dënimit; vajzat nëna; familjet e mbetura të pastreha për shkak të lirimit të banesave ish-pronarëve; përfaqësues të LGBT; individët me statusin e jetimit, që nga çasti i daljes nga qendrat e përkujdesjes shoqërore dhe deri në moshën 30 vjeç; familjet që nuk u janë legalizuar shtëpitë për shkak të vendit ku kanë ndërtuar; personat e pastrehë që kanë mbetur si rezultat i fatkeqësive natyrore; familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës; familjet që nuk disponojnë banesë në pronësi apo që banojnë në banesa të mbipopulluara, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi; familjet ose individët që humbasin banesën e tyre si pasojë e zhvendosjes ose zbatimit të një vendimi gjyqësor; familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna; të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesjes shoqërore; familjet me më shumë se katër fëmijë; bashkëshortët, mosha e përgjithshme e të cilëve arrin deri në 60 vjeç.

Për të përfituar strehimin social, çdo kategori, sipas ligjit do të duhet të aplikojë pranë institucionit të bashkisë të vendit për të plotësuar dokumentacionet. “Përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në zyrën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit/ vendqëndrimit të aplikantit. Individi/familja pa të ardhura, me të ardhura shumë të ulëta ose të ulëta, që aplikon, paraqet vetëm kërkesën për programin social të strehimit. Njësia e vetëqeverisjes vendore plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, i cili sigurohet me shpenzimet e vetë njësisë së vetëqeverisjes vendore, për këta aplikantë”, thuhet në ligj. Ndërkohë pas këtij aplikimi procedurat do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.