SPANJË – Rajoy: Nuk ka pandëshkueshmëri për ETA-n, pavarësisht shpërbërjes

MADIRD, 3 maj /ATSH-AFP/ – Shefi i qeverisë spanjolle paralajmëroi sot se organizata separatiste baske, ETA nuk duhet të shpresojë në pandëshkueshmëri për shkak të shpërbërjes së saj, që i jep fund kryengritjes së fundit të armatosur në Europën Perëndimore pas dekadash atentatesh të përgjakshme.

“Çfarëdo që ajo të bëjë, ETA nuk do të gjejë asnjë shpëtim dhe pandëshkueshmëri për krimet e saj”, deklaroi Mariano Rajoy gjatë një fjalimi në televizion nga Logronjo, në veri të Spanjës.

“Ne nuk i detyrohemi asgjë dhe nuk kemi pse t’i jemi mirënjohës për asgjë”, vazhdoi ai.

E themeluar në vitin 1959 gjatë diktaturës së Francisco Frankos, ETA ka shkaktuar vdekjen e të paktën 829 personave në një fushatë vrasjesh dhe atentatesh me bombë në Spanjë dhe në Francë, në emër të pavarësisë së “Euskal Herria”, që përbëhet nga Vendi Bask në Spanjë dhe në Francë dhe nga Navarre. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.