SELANIK – Takim ndërballkanik për bashkëpunimin drejt integrimit në BE

SHKUP, 3 maj /ATSH-MIA/ – Greqia, Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia do të fillojnë sot takimin katërpalësh për të diskutuar mënyrat e forcimit të bashkëpunimit në drejtim të integrimit në Bashkimin Europian.

Integrimi i vendeve nga Ballkani Perëndimor në BE, sfidat për rajonin e Europës Juglindore nga gjendja e krijuar në Lindjen e Mesme dhe në Mesdheun Lindor, sfidat nga lëvizja e refugjatëve dhe emigrantëve drejt Ballkanit dhe e ardhmja e Europës janë temat për të cilat do të bisedojnë ministrat e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, të Shqipërisë, Ditmir Bushati, të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva dhe të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në takimin e Selanikut, aktivitetet e të cilit janë caktuar për nesër.

Ky takim është edhe një rast për diskutimin e çështjes së emrit mes Athinës dhe Shkupit, edhe pse nga ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë nuk saktësojnë nëse është parashikuar një takim dypalësh i shefave të diplomacisë.

Në takimin në Selanik, përveç ministrave të sipërcituar të Punëve të Jashtme, do të marrin pjesë edhe ministra dhe zyrtarë të lartë nga ministritë e Punëve të Brendshme dhe të Transportit dhe Komunikacionit nga katër vendet./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.