Ndërtuesit 3% të sipërfaqes për strehimin e shtresave në nevojë

TIRANE, 3 Maj/ATSH/- Në ligjin e ri “Për strehimin social”, i cili u diskutua sot në seancën plenare të Kuvendit, ndërtuesit duhet të parashikojnë 3% të sipërfaqes së objektit për shtresat sociale.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj duke mbrojtur p/ligjin në Kuvend tha se p/ ligji “Për strehimin social” është reflektim i drejtpërdrejtë i vëmendjes dhe rëndësisë që qeveria në mandatin e parë e të dytë të saj i ka kushtuar mbështetjes sociale dhe mbështetjes së shtresave në nevojë.

“Ky ligj është vazhdimësi e paketës së solidaritet për shtresat më në nevojë të popullsisë që nuk preken njëtrajtshmërisht nga zhvillimi ekonomik dhe në vazhdimësi të jetës e mirëqenies së tyre kanë pamjaftueshmëri ekonomike”, theksoi Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, deri dje ka pasur kufizime ligjore për ato familje që kanë pamundësi për strehim social, për shkak se janë familje pa të ardhura sepse koncepti ka qenë se bashkia do të subvenciononte 50% të kostos së qirasë.

“E kemi ndryshuar, pasi u pa se bashkitë me të ardhura të ulëta nuk kishin mundësi ti subvencionin, ndërkohë as buxheti i shtetit nuk kishte mundësi të financonte duke i lënë disa shtresa në nevojë pa asnjë mundësi strehimi”, tha Ahmetaj.

Ky parim, vuri në dukje ai, është korrigjuar në ligj, duke u dhënë mundësi familjeve pa të ardhura të përfitojnë drejtpërdrejtë subvencion për qeran e shtëpisë.

Një tjetër parim mbi të cilin mbështetet ligji, theksoi ministri, është siguria e qëndrimit.

“Familja nuk mund të dëbohet nga banesa edhe atëherë kur nuk ka mundësi pagese dhe nuk një pronësi mbi objektin. Zhvendosja do të jetë në bazë të procedurave të detajuara të parashikuara ligjore”, shtoi ai.

Parimi tjetër u shpreh kreu i financave publike, është kontributi i sektorit të ndërtimit për sigurimin e banesave sociale, pjesë e paketës së solidaritet.

Për herë të parë e kemi shkruar në ligj që çdo ndërtues do të kontribuojë në strehimin social me 3% të metrave katror që do të ndërtojë.

“Kjo qeveri e ka paketën sociale në ADN-në e vet dhe nuk e ka për referenca elektorale. Në Tiranë në përllogaritjen që bëjmë, janë 45 mijë m2 që në vitet që vijnë do t’i kalojë komunitetit që kanë nevojë për strehim social”, deklaroi ministri.

Duke u ndalur në logjikën e kostos që do të ketë ndërtuesi pas hyrjes në fuqi të kësaj mase, ministri Ahmetaj theksoi se me iniciativën e kryeministrit po shikohet struktura e taksës së infrastrukturës për të parë shpërndarjen në kohë të pagesës dhe të njohjes së shpenzimeve që ata bëjnë për infrastrukturën e ndërtimit që bëjnë./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.