Meta: Shqipëria ka vetëm një rrugë, atë të integrimit në Bashkimin Europian

TIRANË, 3 maj/ATSH – A.Fortuzi/ – Shqipëria ka vetëm një rrugë, atë të integrimit në Bashkimin Europian, tha Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste televizive.

Ai u fokusua te reforma në drejtësi dhe çelja e negociatave. Sipas tij, miratimi i kësaj reforme i dha Shqipërisë sigurinë për çeljen e negociatave. “Çelja e negociatave nuk është anëtarësim, është fillimi i rrugës për anëtarësim. Mendoj që Shqipëria që me kalimin e reformës në drejtësi me konsensus në korrik të vitit 2016 e ka siguruar çeljen e negociatave, pavarësisht nga formalizimi i këtij vendimi, i cili duhet të punojmë edhe më shumë në ditët dhe javët që vijnë që të ndodhë në qershor pas këtij rekomandimi pozitiv që ka bërë Komisioni Europian”, – tha Meta.

“Mendoj se janë dy qasje lidhur me rëndësinë që ka çelja e negociatave. Në radhë të parë, ka të bëjë me standardin e funksionimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit në vend. Në këtë drejtim unë mendoj që qasja më pozitive që kanë të gjithë aktorët në vend, është që çelja e negociatave e ndihmon Shqipërinë t’i adresojë më mirë problemet apo shqetësimet që kanë edhe partnerët ndërkombëtarë apo që janë artikuluar edhe brenda vendit, në kuptimin që çelja e negociatave do të thotë më shumë instrumente për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces transformimi. Do të thotë dhe një monitorim më i ngushtë nga e Komisionit Europian, nga ana e Bashkimit Europian dhe natyrisht edhe një motivim i të gjithë aktorëve vendas për të arritur standarde më të larta në këtë proces, i cili do të bëhet gjithnjë e më obligativ”, – vijoi Meta.

“Unë mendoj se Shqipëria në dhjetor të vitit ’90 ka vendosur rrugën e saj, që është rruga e integrimit europian dhe e përcaktimit euro-atlantik të saj. Kjo është një rrugë e pakthyeshme. Ne jemi tashmë vend anëtar i NATO-s. Presim çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Nuk është një rrugë e lehtë si për Shqipërinë, e cila duhet të motivohet edhe më tej për përmbushjen e standardeve që kërkohet, ashtu edhe për BE-në, i cili nuk përjeton momentet më entuziaste për sa i takon politikës së zgjerimit, për të gjitha arsyet të cilat dihen. Unë jam i bindur se Shqipëria ka vetëm një rrugë: atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Shqiptarët janë të vendosur në këtë rrugë. Politikanët dhe gjithë klasa drejtuese në vend duhen ta lehtësojnë këtë rrugë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre”, – tha Meta gjatë intervistës së tij. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.