Haradinaj fton kompanitë gjermane të investojnë në Kosovë

PRISHTINË, 3 maj/ATSH/.- Kryeministri Ramush Haradinaj ftoi sot kompanitë gjermane për të investuar në Kosovë.

Gjatë një takimi me përfaqësuesin e Bordit ekzekutiv “Germania Airlines”, Sieghard Jahn, të shoqëruar nga zëvendësambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jan Axel Voss dhe nga Haldun Kokturk, anëtar i Bordit të Drejtorëve dhe Kryeshef Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Haradinaj duke premtuar përkrahje për këto kompani tha se “Kosova është vend i hapur dhe i sigurt për investimet e huaja direkte”.

“Gjermania e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha etapat e ndërtimit të shtetit dhe tani bashkëpunimi ekonomik është shumë i rëndësishëm dhe qeveria e vendit është e përkushtuar që ta çojë përpara këtë axhendë”, tha Haradinaj.

Haradinaj theksoi se “pas Parkut Inovativ dhe trajnues në Prizren, operimi në Kosovë i “Germania Airlines” është një tjetër dëshmi e përkushtimit të qeverisë për një partneritet të qëndrueshëm me shtetin gjerman”.

“Shtimi i shërbimeve ajrore në Kosovë është interes i të gjithëve dhe bashkëpunimi me kompanitë serioze është në axhendën e qeverisë së Kosovës”, nënvizoi Haradinaj.

Përfaqësuesi i kompanisë “Germania Airlines” tregoi synimet e tij për të zgjeruar operacionet në Kosovë, duke shtuar numrin e fluturimeve në destinacione të reja dhe pretendimin që në një të ardhme të afërt të aplikojë për statusin e kompanisë rezidente.

Përfaqësuesi i Bordit ekzekutiv “Germania Airlines”, Sieghard Jahn, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe mbështetjen e dhënë për bashkëpunimin ekonomik mes të dyja vendeve. /KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.