Dorëheqja e Tahirit, reagime nga politika

TIRANË, 3 maj /ATSH- I. Vata/ – Pas deklaratës së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për lënien e mandatit të deputetit, kanë reaguar përfaqësues të politikës.

LSI, Kryemadhi: Akuzat e Tahirit pa vlerë

“Akuzat e Saimir Tahirit ndaj opozitë janë të pa vlera, pasi ai është njeriu që kanabizoi Shqipërinë”, – deklaroi sot kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat, para Kuvendit.

E pyetur për dorëheqjen e Saimir Tahirit, Kryemadhi tha se dorëheqja e tij është për t’i dhënë oksigjen qeverisë.

“Saimir Tahiri është një nga ushtarët e drogës dhe kërkon t’i japë oksigjen qeverisë, por nuk mund t’u hedhë hi syve shqiptarëve dhe opozitës. Lotët e krokodilit të Tahirit nuk janë gjë tjetër vetëm një shfaqje e shëmtuar. Ne e dimë se kanabizimi i Shqipërisë solli varfëri të shqiptarëve, shpërnguljen e tyre dhe kriminalizimin në vend”, – tha Kryemadhi.

Përsa i përket akuzave të Saimir Tahirit ndaj çiftit Meta dhe drejtuesve të opozitës, Kryemadhi tha se është një fat i madh që opozita akuzohet nga një njeri, i cili komuniteti ndërkombëtar e di se kanabizoi vendin.

“Bërja kurban vetëm për dy orë të Saimir Tahirit, tregon se drejtësia shqiptare është e kapur nga politika”, – shtoi Kryemadhi.

Ndërsa, e pyetur për zgjedhje të parakohshme, Kryemadhi tha se opozita është gati, 27 janari e tregoi se kush është opozita dhe ne do t’i vazhdojmë protestat.

PS, Balla: Dorëzimi i mandatit nga Tahiri, vendim personal

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla komentoi sot për mediat vendimin e Saimir Tahirit për të dorëzuar mandatin e deputetit.

Balla u shpreh se vendimi i Saimir Tahirit për të dorëzuar mandatin e deputetit është personal dhe është një çështje që i përket atij dhe drejtësisë.

“Vendim tërësisht personal i Saimir Tahirit që e respektojmë tërësisht dhe dua të ripërsëris atë që kemi thënë këtu e 6 muaj më parë, që kjo është një çështje tërësisht mes Saimir Tahirit dhe drejtësisë. As e jona, dhe kurrësesi e kësaj opozite gojështhurur që në çdo mundësi që i jepet gjen argumenta për të ndërtuar baltën e radhës ndaj punës së rëndësishme që ka imazhi i Shqipërisë në rrugën drejt hapjes së negociatave”, – tha Balla.

“Gjithçka që ne mundohemi të ndërtojmë ditën këta e shkatërrojnë natën me një punë sabotuese. Këta janë në një betejë për të prishur sa më shumë punë Shqipërisë në vendimmarrjen e rëndësishme të 28 qershorit”, – tha Balla.

Ndërsa në seancën plenare të Kuvendit, Balla përgënjeshtroi deputetin e LSI-së Luan Rama për mbledhjet e Komitetit Kombëtar për Luftën kundër substancave narkotike i cili, tha Balla, mblidhet në mënyrë periodike prej 2013–ës dhe miraton strategjitë e qeverisë në luftën pa kompromis kundër çdo lloj trafikimi.

Sa i përket pr/ligjit për strehimin social, Balla tha se, “grupi parlamentar i PS mbështet fuqimisht një pr/ ligj që në historinë e këtij Kuvendi, por dhe të qeverisjes së majtë është një prej faqeve më sociale tonat. Jam krenar t’i them sot familjeve që prej vitesh kanë një hall për strehimin që me këtë pr/ligj hapim një fazë të re të trajtimit social të familjeve të pastreha”.

PD, Basha: Dorëzimi i mandatit të Tahirit, manovër politike

“Dorëzimi i mandatit të Tahirit ka ardhur pas presionit që iu bë Kryeministrit në Berlin”, – deklaroi sot Kryetarit i PD-së Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat.

Basha shprehet se “dorëzimi i mandatit nga Saimir Tahiri është vazhdim i paktit Rama-Tahiri. Është fakt se dorëheqja nga mandati erdhi pas presionit direkt që iu bë Kryeministrit në Berlin, ku iu tha se është e patolerueshme mbrojtja politike që i bëhet Saimir Tahirit me imunitet parlamentar kundër veprimeve të drejtësisë”.

Sipas Bashës, Tahiri erdhi në Kuvend për të mbrojtur mandatin e deputetit. “Më 19 prill Saimir Tahiri mori pjesë në seancë plenare pas 6 muajve mungesë për të shpëtuar mandatin e deputetit. Çfarë ndryshoi këto dy javë? Asgjë, përveç vizitës së Kryeministrit në Berlin dhe premtimit se do ta zgjidhte problemin e imunitetit të Tahirit”.

Po ashtu, sipas Bashës dorëzimi i mandatit nga Tahiri është manovër politike dhe për faksin se prokuroria është nën kontroll të politikës. “Dorëzimi i mandatit të Saimir Tahirit është manovër politike pasi Kryeministri ka futur nën kontroll të plotë Prokurorinë”, – shprehet Basha.

PD, Spaho: Dorëzimi i mandatit nga Tahiri pasi u prishën provat

“Kryeministri ka ndërmarrë turin e tij për llogaridhënie tek qytetarët, por në të vërtetë nuk jep llogari, por fsheh gjendjen e vështirë ku është vendit”, – deklaroi sot në Kuvend, Kryetarit i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

Në fjalën e tij, Spaho tha se “sot pas 5 vitesh në qeveri, Kryeministri ynë vazhdon dhe merret me zgjidhjen e punësimit harron t’i thotë qytetarëve të vet ç’është bërë me taksat, përse janë rritur kaq shumë? Përse kanë arritur në pesë vite të rëndojë buxhetin e familjeve e qytetarëve shqiptarë me 500 milionë euro”, – tha ai.

Më tej, ai shtoi se “përse qytetarët shqiptarë nuk kanë punë pas 5 vitesh që premtoi zhvillim ekonomik dhe që do ta bënte Shqipërinë vendin kampion në rajonit dhe sot qytetarët shqiptarë largohen përditë e më shumë në emigracion”.

“Nuk i shpjegon qytetarëve shqiptarë Partneritetin Publik Privat të famshmin, me të cilin po i merr të gjitha paratë e buxhetit të shtetit dhe po ja jep oligarkëve. Po ngarkon qytetarët e vendit të tij të paguajnë për ato fonde, siç veproi për ‘Rrugën e Kombit’ kur vendosi taksën 5 euro dhe u kërkoi njerëzve që ta paguajnë se me të do të ushqehen oligarkët e pangopur të tij. Nuk na tha asnjë fjalë për borxhin që shkoi 72% që bashkë me koncesionet shkon në 80%”, – tha Spaho.

Ndërsa për dorëzimin e mandatit nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Spaho tha se dorëzimi i mandate ndodhi kur janë prishur provat.

“Po sigurisht që ju sot mund ta jepni e ta falni mandatin sepse jeni të pastër si qelibar dhe nuk keni frikë të shkonin tek drejtësia, por pasi prishët provat. 4-5 muaj prishët të gjitha provat e hetimit, sigurisht, pasi e liruat Orest Sotën, i humbi të gjitha gjurmët, pasi ikën ata tre oficerët e policisë në emigracion dhe pasi e çuat Nazer Seitin në Itali që të mos ketë mundësi të deponojë. Dhe tani bëni një farsë tjetër që na jepni imunitetin e Saimir Tahirit me deklarata”, – pohoi Spaho. /gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.