Rritja ekonomike konfirmohet edhe në 3-mujorin e parë 2018

346

TIRANË, 2 maj /ATSH/- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë deklaroi sot se, ekonomia shqiptare ka ndjekur trendin e rritjes pozitive edhe gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2018, duke pasuar rritjen me 3,4 për qind që shënoi në 3-mujorin e fundit të 2017-s.

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3.4% në tremujorin e fundit të vitit të shkuar. Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë se një ritëm i ngjashëm rritjeje është ruajtur edhe në tremujorin e parë të vitit aktual”, – tha Sejko.

Sipas tij, zgjerimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur, në masën më të madhe, nga rritja e shpenzimeve konsumatore dhe e investimeve private. Zgjerimi i kërkesës agregate është pasqyruar kryesisht në rritjen e sektorit të shërbimeve dhe të degëve të caktuara të sektorit të industrisë.

Ndërsa në terma makroekonomikë, rritja është ndihmuar nga besimi i përmirësuar i sektorit privat, nga rritja e kërkesës së huaj dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit në vend, u shpreh Guvernatori.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka sjellë rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe  punësimit 

Banka e Shqipërisë në analizat e saj ka kostatuar se, zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka sjellë një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve prodhuese.

“Ai është pasqyruar në rritjen e mëtejshme të punësimit, në rënien e normës së papunësisë dhe në përmirësimin e bilanceve financiare të bizneseve shqiptare. Megjithatë, aktiviteti ekonomik në vend vijon të mbetet nën nivelin e tij potencial, çka frenon rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit”, – deklaroi Guvernatori.

Inflacioni drejt objektivit të BSH-së

Inflacioni shënoi një normë mesatare prej 1.9% në tremujorin e parë të vitit 2018, duke regjistruar një rritje të lehtë nga vlera e tremujorit paraardhës. Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht çmimet më të larta të qirave, ndërkohë që çmimet e ushqimeve vijuan të mbeten të luhatshme dhe inflacioni i artikujve të tjerë të shportës relativisht i ulët dhe i qëndrueshëm.

Në një këndvështrim më të gjerë, sipas BSH-së, rritja e inflacionit u favorizua nga zgjerimi i kërkesës agregate dhe i presioneve të brendshme inflacioniste, por vijoi të frenohet nga nivelet e ulëta të inflacionit në vendet partnere dhe nga forcimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit.

Politika monetare mbështet zhvillimin ekonomik

Politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe mbetet një faktor i rëndësishëm mbështetës për zhvillimin e vendit. Në përgjigje të kësaj politike, tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga nivele të ulëta të normave të interesit, nga një gjendje e mirë likuiditeti dhe nga prime të reduktuara rreziku.

Guvernatori i BSH-së tha se, sektori bankar vazhdon të regjistrojë nivele të përshtatshme dhe në përmirësim të treguesve të cilësisë së aktiveve, të likuiditetit, të rentabilitetit dhe të kapitalizimit. Kredia për ekonominë u rrit mesatarisht me 3.3% gjatë tremujorit të parë të vitit, e ushqyer në masën më të madhe nga rritja me 7% e portofolit të kredisë në lekë. “Banka e Shqipërisë konstaton se rritja e pritur e nevojave për financim duhet të shoqërohet me politika më realiste dhe fleksibile kreditimi nga sektori bankar, në mënyrë që të mos kushtëzojë dinamikat e zhvillimit në të ardhmen”, – tha Sejko.

Përmirësimi i treguesve ekonomik dikton qëndrueshmëri të normës së interesit për lekun në nivelin 1.25%

Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, e nxitur nga kushtet stimuluese të financimit dhe nga përmirësimi i pritur i ambientit të huaj. Shfrytëzimi në rritje i kapaciteteve prodhuese do të krijojë premisa për forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste, duke i sjellë ato në linjë me objektivin tonë të inflacionit. Forcimi i këtyre presioneve pritet të jetë i mjaftueshëm për të kompensuar forcimin e shpejtë dhe të përkohshëm të kursit të këmbimit.

Në përputhje me këto vlerësime, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi, të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%; të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%. /e.xh//r.e/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.