Ministria e Arsimit rikthen inspektimin në çdo shkollë

580

TIRANE, 2 Maj/ATSH/-Turin e llogaridhënies publike të qeverisë, ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë e filloi nga qyteti i Kavajës me mësues, nxënës e prindër.

Gjatë një bashkëbisedimi të hapur ministrja Lindita Nikolla i informoi mbi punën e bërë gjatë 6 muajve të parë të kësaj qeverie dhe specifikisht të ministrisë që ajo drejton, duke identifikuar edhe fokusin ku është përqendruar ky dikaster gjatë këtij mandati.

Ndërsa nënvizoi se gjatë këtij viti qarkut të Tiranë do t’i shtohen 3 shkolla të reja, falë investimit të ministrisë së Arsimit në bashkëpunim me bashkitë.

Reforma e kurrikulës dhe e teksteve që filloi gjatë 4 viteve të shkuara, përmbyllet vitin që vjen në arsimin parauniversitar deklaroi Nikolla, por sipas saj, ende ka shumë për të bërë pasi fëmijët e shqiptarëve meritojnë më shumë mësues cilësor dhe mësimdhënie bashkëkohore.

Ndaj nga viti që vjen, Nikolla deklaroi se çdo shkollë do të ketë inspektorin e saj për të anashkaluar problematikat e hasura.

“Në këto 4 vite zbatuam një kurrikul të re të përshtatur edhe me reformën e teksteve shkollore. Vitin tjetër përmbyllim gjithë reformën kurrikulare në arsimin parauniversitar”, tha Nikolla.

Nikolla u shpreh se ka filluar një proces i ri rekrutimi përmes portalit “mësues për Shqipërinë”.

Ndërsa shkolla e Drejtorëve, tha ajo, do të mundësojë kualifikimin për çdo drejtues shkolle që janë aktualisht.

“Që vitin e ardhshëm shkollor ne rikthejmë inspektimin në çdo shkollë të Shqipërisë. Do të jetë syri e monitoruesi i standardeve dhe problematikave, i ngritjes së alarmit, jo kur të ketë mbaruar viti shkollor dhe kur të shohim përmes mediave ndonjë mësues që dhunon apo ndonjë mësues që abuzon me detyrën por do të kemi gjithë informacionin në kohë reale për të ndërhyrë në kohë reale për të gjitha këto problematika”, tha Nikolla.

Nikolla po ashtu bëri të ditur se mësuesve do ju ndalohet hyrja në orë të mësimit me celularë.

“Ne do ecim edhe më shumë tek nxënësit por ky është parakushti i parë” deklaroi Nikolla.
Studentët që kanë përfunduar studimet për mësuesi mbesin në numër të lartë në provimin e shtetit. Ky fakt sipas ministres së Arsimit meriton të adresohet.

“Ne kemi rritur notën mesatare sivjet 7 për ata maturantë që do të zgjedhin programet e mësuesisë dhe nga ana tjetër do të mbulojmë bursat e gjithë maturantëve që zgjedhin mësuesinë me notë mesatare mbi 9”, informoi ministrja.

Shtimi i mësuesve ndihmës në shkolla dhe shtrirja e projektit bëjmë detyrat e shtëpisë edhe në shkollat e Kavajës ishin ndër kërkesat kryesore të prindërve të nxënësve të këtij qyteti.

Nikolla premtoi se takime të tilla të hapura do të vijojnë ku shqetësimet e komunitetit të prindërve dhe mësuesve do të adresohen duke sjellë edhe ndryshimet e pritshme në institucionet tona arsimore.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.