LONDËR – May nën kërcënimin e një përballjeje parlamentare për doganat

LONDËR, 2 maj /ATSH-AFP/ – Kryeministrja britanike, Theresa May po përballet sot me një valë të re tensionesh brenda partisë së saj konservatore, pasi një grup deputetësh e kërcënuan se do të largoheshin nëse ajo nuk hiqte dorë nga një projekt i marrëveshjes doganore me BE-në për periudhën pas Brexit.

Këta 60 parlamentarë konservatorë, të cilët bëjnë pjesë në European Research Group (ERG) i dërguan lideres një raport prej 30 faqesh, që detajon qëndrimin e tyre kundër kësaj alternative që do të ulte, sipas tyre, tërësinë e mundësive të Britanisë së Madhe pas Brexit dhe do ta bënte të pavlerë në këtë kuptim vendimin e britanikëve për t’u larguar nga BE-ja, raportojnë mediat britanike.

Dorëzimi i këtij dokumenti vjen pasi Theresa May mbledh sot pasdite ‘’kabinetin e saj të ‘luftës’ për Brexit’’, i ngarkuar për të vendosur orientimet që do të jepen për negociatat me Brukselin dhe ku si rend dite është përcaktuar çështja doganore.

Theresa May theksoi se dëshiron të largohet nga bashkimi doganor dhe tregu i përbashkët për të patur mundësi të negociojë lirshëm me partnerët e saj tregtarë, kryesisht me SHBA-në dhe shtetet e Komonuelthit.

Meqenëse BE-ja përbën thuajse gjysmën e tregtisë së jashtme britanike, ajo po studion dy mundësi për të kufizuar ndikimin e Brexit. Njëra prej tyre do të ishte një zgjidhje kryesisht në planin teknologjik për të ruajtur rrjedhshërinë e shkëmbimeve tregtare.

Tjetra e cila do të kishte mbështetjen e Mayt, do të merrte formën e një marrëveshjeje doganore përmes së cilës Britania e Madhe do të zbatonte tarifat doganore të BE-së në kufirin e saj për mallrat që kalojnë tranzit në territorin e saj dhe t’i kthente ato më pas në BE, dhe tarifat e saj për mallrat që kanë si destinacion vendin./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.