Llogaridhënia publike, Rama: Kemi realizuar objektiva historike

TIRANË, 2 maj /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të tij me banorët e Tiranës në kuadër të llogaridhënies publike, u shpreh se qeveria ka realizuar disa objektiva historike siç ishte hapja e negociatave për anëtarësim në BE.

Gjatë takimit me qytetarët në ambientet e Amfiteatrit në kryeqytet, kreu i qeverisë u shpreh se “… rekomandimi ka ardhur me shumë punë e mund, falë reformave që kemi arritur”.

“Në këto 6 muaj kemi finalizuar marrjen e rekomandimit pozitiv pa kushte për çeljen e negociatave dhe është një rezultat që ka ardhur me mundim, me shumë punë, me shumë durim dhe ka ardhur falë të gjitha atyre reformave që kemi arritur. Është një rezultat që është njohur nga Komisioni Europian.

Kreu i qeverisë u kërkoi qytetarëve që të bëjnë të ditura shqetësimet e tyre në platformën e bashkëqeverisjes, duke theksuar se duhet të nxirren jashtë zyrave, ata të cilët nuk përfaqësojnë dhe nderojnë PS-në.

“Ne duhet në mënyrë të vazhdueshme së bashku të nxjerrim jashtë nga zyrat e shtetit të gjithë ata që nuk e përfaqësojnë dhe nuk e nderojnë PS-në, dhe votën e të gjithë atyre që nuk e nderojnë  PS-në.

Ne duhet të mos tolerojmë askënd, që kërkon të na mbajë peng të avazit të vjetër të tepsisë së pushtetit, duke e kthyer një pozicion të marrë falë kontributit në PS për të ushqyer interesat veta.

Mjaftojnë vetëm 3 minuta që çdo qytetar të mund të vërë në lëvizje ministrin përkatës dhe ta kthejë problemin e tij në një hall të ministrit për t’u zgjidhur.

Janë rreth 1000 mijë ankesa që po trajtohen në muaj nga portali i bashkëqeverisjes.”

Nga ndihma ekonomike drejt punësimit, rritet numri

Punësimi real për qeverinë shqiptare është një nga prioritet kryesore.

Kështu u shpreh Kryeministri gjatë takimit të tij me banorët, duke theksuar se qeveria po merret mjaft seriozisht me çështjen e punësimit, por shqiptarët duhet të heqin dorë nga kërkimi i punës vetëm në administratën shtetërore.

“Ne sot jemi ne një proces që po merremi seriozisht, si asnjëherë më parë se ndonjë qeveri tjetër, me punësimin, me punësimin real.

Punësimi real është punësimi që krijohet nga një sipërmarrje dhe kryhet përmes një sipërmarrje.

Natyrisht që puna në shtet është një punë e nderuar dhe e respektuar, por ne duhet që të luftojmë përditë me mendësinë që punë quhet vetëm kur ta jep shteti dhe se kur të thonë shko puno në privat është një skllavërim, ky është një problem i trashëguar që e kanë të gjitha vendet e rajonit.

Por ajo çfarë ne po shikojmë sot është që, nga njëra anë falë një reformimi të rëndësishëm të gjithë shërbimit kombëtar të punësimit, falë fuqive të reja të zyrave të punës, falë sensibilizimit të prindërve për arsimin profesional dhe falë shumë njerëzve të cilët nuk punojnë dot, sepse nuk kanë marrë asnjë certifikatë profesionale, sot jemi në kushtet që nga njëra anë po shohim rritjen e punësimit dhe ky është një fakt dhe, nga ana tjetër, kemi rritje të numrit të të punësuarve.

 

/e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.