Gashi në SHBA, merr mbështetje nga drejtuesit më të lartë të YMCA-së

170

PRISHTINE, 2 Maj /ATSH/ -Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe drejtues të YMCA-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Nju Jork.

Gjatë kësaj vizite është pritur nga Rayda Marques, drejtoreshë e programeve ndërkombëtare të YMCA-së dhe Julie Galanty drejtoreshë ekzekutive për zhvillimin e rinisë e YMCA-së në Nju Jork.

Ministri Gashi gjatë këtij takimi ka kërkuar mbështetje në zhvillimin e programeve rinore për të rinjtë e Kosovës,  ndërtimit të kampit rinor në fshatin Pjetërshtan të Gjakovës.

Ministri ka theksuar faktin se ndërtimi i një qendre rinore multi funksionale në Republikën e Kosovës, do t’i hap edhe një perspektivë më të madhe të rinjve të Republikës së Kosovës.

Në këto takime, ministri ka marrë mbështetje të fuqishme në zbatimin e këtij projekti në Republikën e Kosovës.

“Përvojat të cilat i kanë vendet e ndryshme të Botës e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës në avancimin e pozitës së të rinjve janë modeli më i mirë që duhet marrë si model për vendin tonë”, u shpreh ministri.

Gjithashtu Gashi ka njoftuar drejtuesit e YMCA-së se në Kosovë nevoja për përmirësimin e pjesëmarrjes së rinisë kosovare në aktivitete sociale vazhdon të jetë e rëndësisë së veçantë.

“Nevoja e vazhdueshme për përkrahjen e rinisë theksohet edhe në raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare”, tha ministri duke shtuar se “Themelimi i YMCA-së në Republikën e Kosovës është një mundësi e re për të rinjtë e vendit tonë”. /Kosova Press/ /e.m/ /a.g/

/e.malaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.