Rrjeta e drejtësisë do të godasë politikanët e korruptuar, “peshqit e mëdhenj”

TIRANË, 1 maj /ATSH – I.Vata/ – Policia e Shtetit, Prokuroria dhe Gjykata përbëjnë rrjetën e drejtësisë e cila garantohet nëpërmjet procesit të Vetting-ut dhe bën të mundur ndëshkimin e politikanëve të korruptuar, apo siç quhen rëndom “peshqit e mëdhenj”.

Xhafaj theksoi se “duam një polici në shërbim të shtetit dhe jo të pushtetit të radhës, një polici që t’u shërbejë qytetarëve dhe të vërë para drejtësisë grupet kriminale dhe politikanët e korruptuar.”

Transparenca dhe llogaridhënia ndërmjet strukturave të Policisë dhe të qytetarëve, praktikë e vendeve të BE-së

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe drejtues të Policisë Vendore kanë zhvilluar sot në Korçë, Forumin Qytetar për Sigurinë, një hapësirë e re ku merr jetë llogaridhënia publike e Policisë së Shtetit me qytetarët.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se “Policia e Shtetit ka detyra të rëndësishme që burojnë nga kushtetuta dhe ligji që të sigurojë qetësinë në vend, por çështja e qetësisë nuk mund të zgjidhet vetëm nga policia, por nga aktorë vendorë dhe vetë komuniteti. Kjo është një marrëdhënie, një qasje që e kanë të gjitha vendet e Bashkimit Europian”, – tha Xhafaj.

Më tej, Xhafaj tha se “… praktika të tilla që duam të ndërtojmë janë të zakonshme në BE, sepse ata janë të vetëdijshëm se çdo ndëshkim i paligjshmërive është në të mirë të tyre dhe vetëm në një marrëdhënie të tillë mund të kemi mjedise të qeta dhe të sigurta”.

“Ne po hapim një dialog ndërmjet strukturave të policisë dhe të qytetarëve, në radhë të parë për transparencën dhe llogaridhënien, sepse policia mbahet nga taksat e shqiptarëve dhe kjo taksë që paguajnë qytetarët është për të siguruar qetësi dhe ne kemi detyrimin të informojmë, të jemi transparentë, të japim llogari dhe ne jemi në këtë proces si hap i parë për të dhenë llogari dhe dëgjuar problematikat, por ai duhet të jetë dhe një proces vlerësimi për punonjësit e policisë dhe drejtuesit vendorë”, – tha Xhafaj.

Lufta kundër krimit të organizuar prioriteti kyç i qeverisë

Më tej, Xhafaj tha se “ne jemi të fokusuar kundër krimit të organizuar dhe ky është një prioritet kyç i qeverisë ka pohuar kryeministri Edi Rama, sepse krimi pengon zhvillimin ekonomik të vendit dhe cënon sigurinë kombëtare. Kemi ndërmarrë operacionin ‘Forca e Ligjit’ dhe kemi goditur disa grupe kriminale”.

“Ka disa probleme që u ngritën nga qytetarët, për sigurinë në shkolla, qarkullimin, mjedisin, prerjet e paligjshme të pyjeve, vjedhjen e banesave, sigurinë ushqimore dhe zhurmat që për banorët janë shqetësime të mëdha, prandaj ky është qëllimi të trajtojmë çdo problem që ka qytetari, pavarësisht madhësisë dhe formës së krimit”, – tha Xhafaj.

Vetting-u do t’i shërbejë shumë Policisë së Shtetit

Duke folur për Vetting-un, Xhafaj theksoi se “Vetting-u do t’i shërbejë shumë Policisë së Shtetit, pasi ka shumë punonjës të ndershëm në Policinë e Shtetit, por nga ana tjetër jam plotësisht i bindur dhe treguesit flasin se ka punonjës në polici që janë të korruptuar, që me heshtjen e tyre i kanë shërbyer grupeve kriminale, ose kanë shërbyer drejtpërdrejt me krimin, por Vetting-u nuk mund të jetë i plotë pa besimin te publiku dhe qytetarët”.

Procesi i Vetting-ut në Policinë e Shtetit ka qenë korrekt, tha Xhafaj, por edhe nëse ka një defekt në formularin e deklarimit, nuk i penalizon, por i penalizon bashkëpunimi me krimin dhe korrupsioni apo figura e tyre.

Rrjeta e drejtësisë është Prokuroria, Policia, Gjykata

Në fund, Xhafaj theksoi se ne kemi hapur një proces Vetting-u për gjykatësit dhe prokurorët, por pa Vetting-un në polici nuk do të kishte një sistem të drejtë. Por nëse do të ketë gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës të policisë të ndershëm, nuk do të ketë politikan të korruptuar pa u ndëshkuar dhe e gjitha kjo do të bëjë të mundur ndëshkimin e ‘peshqve të mëdhenj’.

“Që ‘peshku i madh’ të shkojë ku duhet, duhet të ketë rrjetë dhe rrjeta është Prokuroria, Policia, Gjykata sepse nëse njëri institucion nuk funksionin nuk ka ndëshkim, prandaj duam një polici në shërbim të shtetit dhe jo të pushtetit të radhës”./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.