Reforma në Drejtësi, Gjonaj: Sfidë ngritja e institucioneve të reja

TIRANË, 1 maj/ATSH/- Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim me studentët e Fakultetit të Shkencave Politiko-Juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, duke theksuar se “… deri dje gjyqtarët e prokurorët ishin kthyer në një korporatë, e cila e ishte e pamundur për t’u depërtuar, ndërsa sot shikojmë gjyqtarë e prokurorë, të cilët nuk e ndjejnë veten që kalojnë procesin dhe dorëhiqen”.

Në takimin e organizuar në formën e një bashkëbisedimi të hapur, i cili kishte në qendër të diskutimit Reformën në Drejtësi, Gjonaj beri me dije se “… kjo është pikërisht ajo për të cilën qytetarët shqiptarë kanë dhënë besimin për Reformën në Drejtësi.”

“Deri dje gjyqtarët e prokurorët ishin kthyer në një korporatë, e cila ishte e pamundur për t’u depërtuar. Ndërsa sot shikojmë gjyqtarë e prokurorë, të cilët nuk e ndjejnë veten që kalojnë procesin dhe dorëhiqen, si dhe gjyqtarë e prokurorë të cilët nuk e kalojnë dot procesin e Vetting-ut, e kjo është pikërisht ajo për të cilën qytetarët shqiptarë kanë dhënë besimin për Reformën në Drejtësi”.

Ministrja Gjonaj theksoi se Qeveria ka ndërmarrë të gjithë iniciativën e saj ligjvënëse, ligjbërëse, por edhe njëkohësisht edhe mbështetjen financiare në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi.

“Për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër janë miratuar një sërë aktesh nënligjore si dhe është siguruar mbështetja financiare e infrastrukturore, për t’iu dhënë mundësinë e ngritjes dhe funksionimit institucioneve të reja, të cilat janë të lidhura me procesin e vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, – ka thënë Gjonaj.

Nga ana tjetër ministrja e Drejtësisë ka evidentuar se një ndër sfidat kryesore të Reformës është ngritja sa më shpejt e institucioneve të reja, të cilat ndikojnë në të gjithë procesin e emërimit, rekrutimit, futjes apo përfshirjes së studentëve të rinj në shkollën e Magjistraturës dhe të gjitha këto janë të lidhura zinxhir.

Gjonaj është shprehur përpara studentëve se “… rekomandimi pa kushte i dhënë nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave për Shqipërinë i atribuohet pikërisht rezultateve pozitive që kemi pasur me Reformën në Drejtësi dhe tashmë jo vetëm thjesht me dizenjimin e saj, por për rezultatet konkrete që janë dhënë e kanë qenë të dukshme lidhur me procesin e Vetting-ut”./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.