FOTO/ Klosi nga Spilleja: Jemi në fazën e verifikimit të tokave në bregdet

TIRANË, 1 maj /ATSH/ – Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka ndjekur nga afër pastrimin në plazhin e Spillesë dhe pyllin pranë tij, si dhe problematikën e ndarjes në parcela të manipuluara.

Për shkak të kësaj situate zona e Spillesë, me një potencial të madh turistik, ende nuk ka hotele dhe biznese për të mirëpritur qindra mijëra turistë, ndonëse është një plazh shumë pranë kryeqytetit dhe ka akses me autostradën.

Ministri Klosi bëri të ditur se institucioni i tij është në fazën e verifikimit të shkeljeve që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve me tokat në bregdet.

Kërkesa e vazhdueshme e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është që zona me potencial të tillë turistik të shndërrohen në magnete turistike të cilat të prodhojnë mirëqenie dhe punësim.

Për planet e bashkisë së Rrogozhinës, Vila Bashtovë dhe Spilleja do të shndërrohen në zona ku sezoni turistik të jetë më i gjatë. Për kryetarin e bashkisë dhe prefekten e Tiranës, ministri Klosi e kishte një porosi; nxitjen e agroturizmit.

Duke pastruar së bashku me punonjës të administratës lokale dhe 500 nxënës të dy gjimnazeve të bashkisë Rrogozhinë, kreu i Turizmit dhe Mjedisit përsëriti apelin ndaj biznesit për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare ujërave të zeza dhe të ndotura. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.