Prokurorja e Tiranës i nënshtrohet Vettingut

TIRANË, 30 Prill/ATSH/- Prokurorja e Apelit në Tiranë, Fatjona Memçaj do të dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për të kaluar sitën e Vettingut.

Prokurorja e Apelit të Tiranës ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë prej vitit 2003, në atë kohë prokurore e rrethit në Tiranë. Ajo është pjesë e listës prioritare të procesit të vettingut për shkak se është anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në seancën e sotme dëgjimore ajo do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces rivlerësimi nga Alma Faskaj, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.

Gjykatësi i Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva nuk e kaloi provën e verifikimit.

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, u konsiderua se përmbush kriteret, ndërkohë që kolegu i saj, i po kësaj gjykate, Fatos Lulo, u shkarkua, sepse nuk justifikonte dot pasurinë e deklaruar.

Një tjetër anëtare e kësaj gjykate, Altina Xhoxhaj, është në pritje të vendimit. E fundit që u shkarkua nga Komisioni i Kualifikimit ishte prokurorja e Shkodrës, Besa Nikëhasani./a.f/a.g/

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.