LM – Pompeo paraqet linjën e ashpër amerikane ndaj Iranit

AMAN, 30 prill /ATSH-AFP/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është duke zhvilluar një turne në Lindjen e Mesme ku synon të promovojë linjën e fortë të Uashingtonit ndaj Iranit, dy javë pas vendimit të presidentit, Donald Trump përsa i përket marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Pompeo shfaqi qartë dje pozicionin e SHBA-së gjatë vizitave të shkurtra në Arabinë Saudite dhe Izrael, dy aleatë strategjikë të Uashingtonit që konsiderojnë Iranin si një prej armiqve të tyre dhe janë kundër marrëveshjes bërthamore.

“Ambicia e Iranit mbetet që të dominojë Lindjen e Mesme”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit për median në Tel Aviv pas një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Pak më parë në Riad, ai kishte garantuar se “Irani është sponsorizuesi i terrorizmit në botë që i shet armë rebelëve huthis në Jemen, drejton fushata të piraterisë informatike dhe mbështet regjimin e përgjakshëm të Asadit”.

Si në Riad edhe në Tel-Aviv, marrëveshja e vitit 2015 mbi bërthamoren mes gjashtë fuqive të mëdha dhe Iranit ka qenë në qendër të bisedimeve.

Më 12 maj pritet që Trump të japë vendimin e tij mbi këtë marrëveshje që ka për synim të pengojë Iranin të pajiset me bombën atomike në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

“Nëse ne nuk mund ta modifikojmë, do të tërhiqemi”, paralajmëroi Pompeo në Tel Aviv. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.