Kosova, vend i sigurt për investime të huaja

TIRANË, 30 prill/ATSH/.- “Kosova është vend i sigurt dhe i hapur për investime të huaja”, theksoi të hënën kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjatë një takimi me një delegacion të Këshillit të Odave Saudite, si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme nga ky vend, të kryesuar nga Khalid Abdulrahman AL Othman, Haradinaj konfirmoi përkushtimin e qeverisë që ai drejton për të krijuar kushte të përshtatshme për investime strategjike, që do të ndihmonin zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Republika e Kosovës me Arabinë Saudite ka marrëdhënie korrekte bilaterale, të cilat mund të zgjerohen në bashkëpunim ekonomik”, tha Haradinaj.

“Kosova ka potenciale të mëdha për të pranuar investime direkte. Ne kemi krijuar ambient të përshtatshëm për investitorët e huaj, kemi resurse njerëzore, fuqi të re punëtore dhe të profilizuar, si dhe kushte të volitshme për sa i përket legjislacionit në fushën e të bërit biznes”, tha Haradinaj.

Takimi me investitorët dhe biznesmenët nga Arabia Saudite është në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për të dhënë mesazhin se Kosova po bëhet një treg atraktiv ku mund të investohet në shumë fusha./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.